Etrit Berisha kishte arsye për t’u ndarë i kënaqur me kthimin te Shqipëria pas më shumë se dy vjetësh.
Berisha mbajti portën e paprekur në fitoren 2:0 të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë, të shtunën mbrëma në Tiranë.
Fitorja ndaj bjellorusëve në kuadër të Grupit C1 të Ligës së Kombeve, ishte e para për “kuqezinjtë” pas një serie prej pesë humbjesh.
“Ishte emocionuese. Ishte një emocion jashtëzakonisht i mirë. Sidomos me këtë fitore. Gjithsesi ishte edhe kulmi i kësaj dite”, tha Berisha pas ndeshjes.
Ndeshjen e fundit me fanellën e Shqipërisë, portieri 37-vjeçar e kishte si kapiten më 3 qershor 2024 kundër Lihtenshtajnit. Miqësoren, Shqipëria e kishte fituar 3:0.
Më pas Berisha humbi vendin. Qëndroi në stol në miqësoren e radhës dhe në tri ndeshjet në Evropianin 2024.
Pas Evropianit, Berisha nuk u ftua më. Por ai u kthye me fitore te Shqipëria, e cila e nisi edicionin e ri të Ligës së Kombeve me fitore në Tiranë.
“Për mua gjithmonë ka qenë Kombëtarja mbi të gjitha. Kur të thërret Kombëtarja kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë prezent”, është shprehur Berisha.
Kristjan Asllani dhe Ernest Muçi shënuan golat e fitores për kuqezinjtë. Shqipëria në dy edicionet e para të Ligës së Kombeve ishte në Ligën C. Më pas dy herë ishte në Ligën B dhe tani sërish garon në Ligën C.
Berisha dhe lojtarët që luajtën nga fillimi kundër Bjellorusisë, të dielën nuk dolën në fushën e blertë. Të tjerët stërvitën në Shtëpinë e Futbollit për ndeshjen ndaj San Marinos. Fokusi i “kuqezinjve” tani është te dueli në udhëtim kundër San Marinos, që zhvillohet të martën mbrëma.
“Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të përmirësohemi me të njëjtin pasion. Është sinjal pozitiv që kemi arritur të fitojmë. Një fitore e merituar që na çon drejt objektivit që kemi. Ta nisësh mirë një rrugëtim të tillë, ndihmon edhe nga aspekti moral. Skuadra vinte nga një periudhë e vështirë. Fitore e merituar që jep sinjal pozitiv për objektivin që kemi për të qenë të parët në grup”, ka thënë selektori Rolando Maran. Ishte ndeshja e tij e parë garuese me kuqezinjtë.
Më 3 tetor, Shqipëria luan në udhëtim ndaj Finlandës, ndërsa më 6 tetor e pret San Marinon në “Air Albania”.