Një tifoz ka paguar 55 mijë euro për fanellën e veshur nga sulmuesi anglez, Harry Kane, në një prej ndeshjeve më të veçanta të tij me Bayern Munchenin.
Kane e kishte veshur fanellën në fitoren 7:0 të Bayernit ndaj Union Berlinit, në një ndeshje ku e shënoi golin e 100-të dhe të 101-të në Bundesligë.
Goli i parë kishte rëndësi të veçantë, pasi Kane arriti në kuotën e 100 golave në vetëm 98 paraqitje në kampionatin gjerman.
Fanella ishte pjesë e edicionit special të Bayernit dhe ishte përdorur vetëm në atë ndeshje.
Sipas raportimeve, ofertën prej 55 mijë eurosh e bëri një tifoz nga Singapori, duke tejkaluar një ofertë prej 50 mijë eurosh nga një tifoz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një pjesë e të ardhurave do të shkojë për fondacionin “Bayern Hilfe”, i cili mbështet persona dhe familje në situata të vështira.
Fanellat e Jamal Musialas dhe Michael Olises nga e njëjta seri gjithashtu u shitën në ankand, por për shuma dukshëm më të ulëta.