Përzgjedhësi Rolando Maran ka publikuar të shtunën listën e Shqipërisë për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve. Pasi nuk e siguroi qëndrimin në Ligën B me përzgjedhësin brazilian, Sylvinhon, Shqipëria tani do të garojë në Grupin 1 të Ligës C. Në grup me Shqipërinë janë Finlanda, Bjellorusia dhe San Marino.
Në listën me 29 futbollistë ka pasur kthime pas një kohe të gjatë, por ka edhe emra të rinj.
Rey Manaj, Ernest Muçi, Marash Kumbulla dhe portieri Etrit Berisha janë kthyer te Shqipëria, ndërsa ftesë për herë të parë kanë marrë Sabah Kerjota dhe Samuele Sina. Mesfushori Kerjota aktivizohet te Heartsi në elitën skoceze, ndërsa qendërmbrojtësi Sina luan në kategorinë e tretë të futbollit italian me Union Brescian. Mungojnë Armando Broja e Nedim Bajrami.
Portieri 37-vjeçar i Hackenit suedez, Berisha, nuk ka luajtur me Shqipërinë në ndeshje zyrtare që prej 17 nëntorit të vitit 2023 në kualifikimet për “Euro 2024” në barazimin 1:1 me Moldavinë. Kishte edhe një paraqitje më 3 qershor në fitoren 3:0 ndaj Lihtenshtajnit. Ishte edhe pjesë e “kuqezinjve” në “Euro 2024”, por nuk e fitoi rastin nga përzgjedhësi brazilian Sylvinho.
“Berisha ka treguar që ka cilësi të mira si portier dhe duke u ndikuar edhe nga dëmtimi i Strakoshës, kam bërë zgjedhje për të marrë portierët më të mirë dhe në gjendje më të mirë. Sa i përket Brojës dhe Bajramit, kam vlerësuar kushtet e përgjithshme aktualisht. Kombëtarja nuk është një portë që mbyllet, por këto janë zgjedhjet që janë bërë në këtë rast”, është shprehur Maran.
Selektori Maran debutoi te Shqipëria me dy humbje 1:0 në qershor, nga Izraeli dhe Luksemburgu.
“Në ndeshjet e qershorit janë bërë gjëra pozitive e negative. Ideja do të jetë që të punojmë në gjëra të ndryshme, në varësi të lojtarëve që do të hedh në fushë, duke i vendosur në kushtet ideale për të dhënë maksimumin. Janë gjëra që duhet të rishikoj, sepse ka gjëra që nuk janë natyrale për këtë skuadër e që në këto ndeshje do t’i vendosja në zbatim”, ka deklaruar të shtunën në konferencën për shtyp përzgjedhësi Maran.
Shqipëria e pret Bjellorusinë më 26 shtator, ndërsa tri ditë më vonë luan në udhëtim te San Marino. Në udhëtim më 3 tetor luan ndaj Finlandës, kurse më 6 tetor e pret San Marinon. Në nëntor luan në shtëpi ndaj Finlandës dhe në udhëtim te Bjellorusia.
Die offizielle Versammlung Albaniens beginnt am Montag.
Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Simon Simoni
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Adrion Pajaziti, Luis Hasa, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti, Ernest Muçi, Sabah Kerjota
Sulmues: Myrto Uzuni, Rey Manaj, Cristian Shpendi, Mirlind Daku