Gatishmëria e Jamal Musialas për fillimin e edicionit të Bayernit është në dyshim, pasi ylli i futbollit u rrëzua në ndeshje të njëpasnjëshme për shkak të një problemi neurologjik.
Reprezentuesi 23-vjeçar i Gjermanisë kolapsoi menjëherë pasi hyri në fushë në miqësoren ndaj Heidenheimit të martën, tri ditë pas një incidenti të ngjashëm në ndeshjen kundër Leipzigut. Ai mori trajtim të shkurtër në fushë, përpara se të largohej nga loja në të dyja rastet.
Musiala shkroi të martën vonë se është diagnostikuar me “’kriza’ të shkurtra, të përkohshme, por lehtësisht të trajtueshme, të shkaktuara nga një mosfunksionim neurologjik” dhe se ato mund të çojnë në momente që ndodhën kundër Heidenheimit dhe Leipzigut.
Ai shtoi se nuk kishte asnjë rrezik shtesë për shëndetin dhe se dëshiron të vazhdojë të jetojë “jetën e tij të përditshme dhe të vazhdojë me pasionin e tij për të luajtur futboll”.
Heshtja e Bayernit
ebenfalls
Mourinhos Rückkehr dürfte den Konkurrenzkampf in La Liga verschärfen.
Bayerni nuk ka lëshuar asnjë deklaratë dhe nuk ka publikuar ndonjë përditësim mbi gjendjen e lojtarit. Klubi bavarez nuk është përgjigjur as në kërkesat e mediumeve.
Bayerni e fillon edicionin të shtunën me ndeshjen e Superkupës së Gjermanisë ndaj Borussia Dortmundit. Një javë më pas e fillon mbrojtjen e titullit në Bundesligë, me ndeshje ndaj Stuttgartit.
Agjencia e lajmeve, DPA, duke cituar burime nga Bayerni, raportoi të mërkurën se nuk kishte indikacione që Musiala nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë karrierën e tij si më parë. Por nuk kishte informacion nëse ai mund të luajë kundër Dortmundit ose Stuttgartit.
Krahasime me Eriksenin
Përballë gazetarëve pas ndeshjes të së martës ndaj Heidenheimit, drejtori sportiv, Max Eberl, fillimisht refuzoi të komentonte mbi gjendjen e Musialas, duke thënë se lojtari do të lëshonte një deklaratë më vonë.
“Gjëja e mrekullueshme lidhur me futbollin – diçka që do të doja të shihnim më shumë nga shoqëria ose në përgjithësi – është se kur ndodh diçka në futboll që tërheq vëmendjen e të gjithëve, si kolapsimi i Christian Eriksenit, ose tani situata me Jamalin, të gjithë e kuptojnë se futbolli është gjëja më e bukur e parëndësishme në botë dhe se ka çështje shumë më të rëndësishme”, ka thënë Eberl.
“Është shenjë e mirë. Të jep një ndjesi të mirë të shohësh shoqërinë që qëndron e bashkuar duke treguar solidaritet”.
ebenfalls
Vom Premier-League-Meister in die dritte Liga – Leicesters unglaublicher Absturz
Hoenes i shokuar
Presidenti i nderit i Bayernit, Uli Hoenes, tha për “Sky” të mërkurën se rrëzimet e Musialas krijuan “dramë” në klub dhe se ato ishin problem para së gjithash për futbollistin.
“Unë shkoj në shtrat duke menduar për të dhe zgjohem duke menduar për të”, ka thënë Hoenes, që është prej figurave kryesore te Bayerni.
Ai shtoi se klubi nuk dinte si të reagonte.
“Ne nuk mund të përgatiteshim për këtë dhe duhet të mësojmë së pari se si të merremi me këtë situatë”, tha Hoenes, që premtoi se Musiala do të merrte mbështetje të pakushtëzuar në çdo aspekt.
Musiala tha se po kalon një proces, duke shtuar se ka mbështetjen më të mirë.
ebenfalls
Die besondere Geschichte des nächsten Teenagers, der bei Bayern München glänzte.
“Po marr kujdes të shkëlqyer mjekësor për këtë dhe jam shumë optimist. Bayerni dhe të afërmit janë gjithnjë pranë meje, duke më mbështetur”.
Musiala humbi pjesën më të madhe të edicionit të kaluar për shkak të një lëndimi serioz. U kthye në janar dhe bëri vend te Gjermania për Botëror.