Federata e Futbollit e Izraelit ka reaguar ndaj deklaratës së fuqishme të selektorit të Irlandës, Heimir Hallgrimsson.
Federata izraelite e ka akuzuar islandezin për “injorancë, hipokrizi dhe budallallëk” lidhur me komentet e bëra javën e kaluar.
Derisa po shpallte listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e Ligës së Kombeve, Hallgrimsson deklaroi: “Ne nuk po luajmë me gjenocidin, ne po luajmë kundër gjenocidit. Ne po luajmë kundër Izraelit, nuk po luajmë me Izraelin”.
Në Irlandë qëndrimi pro-palestinez është shumë i theksuar. Dhe shumë njerëz, duke përfshirë figura të rëndësishme të futbollit, kanë kërkuar që të bojkotohen plotësisht ndeshjet me Izraelin.
Irlanda fillimisht të enjten luan me Kosovën. Më pas e luan ndeshjen e parë me Izraelin në terren neutral, përkatrësisht në Hungari. Irlandezët edhe e presin Izraelin në terren neutral, përkatësisht në Baçka Topola të Serbisë, më 4 tetor. Në atë ndeshje nuk do të lejohen shikues, për të shmangur incidentet eventuale.
Në Irlandë vazhdojnë thirrjet kundër ndeshjeve me Izraelin.
Federata e Futbollit e Izraelit lëshoi një komunikatë lidhur me deklaratat e Hallgrimssonit.
“Ne kemi kontribuar për botën dhe njerëzimin në fusha të shumta, duke fituar numër mbresëlënës të çmimeve Nobel gjatë rrugës. Fatkeqësisht ende nuk kemi gjetur një kurë për budallallëkun, injorancën dhe hipokrizinë e shfaqur nga trajneri i Irlandës. Ne nuk luajmë me injorancën, hipokrizinë dhe budallallëkun, ne po luajmë kundër trajnerit që i mishëron ato”, shkruan në deklaratë.
Të hënën mbrëma u mbajt një protestë para hotelit ku janë të vendosur lojtarët e Irlandës, derisa presioni për bojkotim të ndeshjeve rritet.
Më shumë se 160 sportistë irlandezë kanë nënshkruar një letër të hapur të organizatës “Sporti irlandez për Palestinën”, duke bërë thirrje për bojkotim të ndeshjeve me Izraelin.
Në letër shkruan se federata irlandeze, UEFA dhe qeveria irlandeze duhet të kishin ndërhyrë para kësaj faze, por ende ka kohë për të “treguar fuqinë e sportit për të bashkuar”.
Në mesin e atyre që kanë nënshkruar letrën ka edhe sportistë shumë të njohur irlandezë. Disa prej tyre tashmë kanë bojkotuar ndeshje apo përballje me izraelitët.
Futbollistët e Irlandës janë në presion të madh për kohë të gjatë lidhur me ndeshjet kundër Izraelit. Selektori Hallgrimsson ka treguar se ka biseduar individualisht me lojtarët e skuadrës së tij rreth mundësisë për t’u përballur me Izraelin dhe ka thënë se “asnjëri prej nesh nuk ndihet rehat të luajë në këto ndeshje”.