Nëse portieri Diant Ramaj vazhdon të luajë kështu në Danimarkë, ai së shpejti mund të bëhet temë diskutimi për ekipin e Gjermanisë dhe trajnerin e ri, Jurgen Klopp.
Kështu e ka nisur shkrimin për Ramajn gazeta e madhe gjermane, BILD.
BILD ka bërë një listë të portierëve që janë kandidat për të qenë pjesë e Gjermanisë në epokën e Kloppit. Në mesin e shumë portierëve e ka përfshirë edhe Ramajn.
“Ndoshta edhe Diant Ramaj, nëse ai vazhdon formën e tij aktuale”, shkruan BILD.
Por në shkrim përmendet edhe Kosova.
“Ramaj mund të luajë për Kosovën, por gjithmonë e ka bërë të qartë në të kaluarën se dëshiron të luajë për Gjermaninë nëse i jepet mundësia”, shkruan tutje gazeta gjermane.
Ramaj ka kontratë deri në vitin 2028 me Borussia Dortmundin. Por ai u huazua te Copenhageni për shkak të konkurrencës së madhe në portën e Dortmundit.
Portier i parë te Dortmundi është Kobel.
Trajneri i klubit danez, Bo Svensson është i impresionuar me Ramajn.
“Ai ka qetësi me topin dhe aftësinë për të marrë pjesë në ndërtimin e lojës, gjë që na jep një dimension shtesë. Në të njëjtën kohë, ai ka një prani të fortë, sjell qetësi në mbrojtje dhe zotëron një mentalitet të theksuar fitues”, ka thënë Svensson.
Ramaj 24-vjeçar ka luajtur dy ndeshje për U18 të Gjermanisë. Pesë ndeshje i ka edhe për Gjermaninë U19 dhe tri ndeshje për Gjermaninë U20.