“Edonin e kemi përgatitur edhe për Juventusin”. Kështu deklaroi përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, në konferencën për media të dielën pas barazimit 1:1 kundër Austrisë. Ishte ndeshja e katërt dhe e fundit e këtij grumbullimi të gjatë.
“I kemi dhënë mjaftueshëm minuta dhe po besoj se nëse atje luan siç ka luajtur këtu, do të ketë më shumë minuta. E kemi ndihmuar Edonin”, theksoi Foda.
Zhegrova ishte pranë largimit nga Juventusi. Por në fund, Juve e mbajti në ekip.
Ai së fundmi ka shfaqur formë të mirë edhe te gjiganti italian. Në dy ndeshjet e fundit shënoi dy gola dhe kontribuoi me një asistim.
“Lojtarët tanë nuk kanë pasur shumë minuta në klubet e tyre. Për t’i përmendur disa prej tyre janë: Zhegrova, Asllani, Rashica. Ata duhet të luajnë më shumë minuta për të kapur ritmin e lojës”.
Kosova “nuk e ndihmoi” vetëm Zhegrovën. Minuta fituan edhe Fisnik Asllani dhe Milot Rashica, të cilët nuk kishin hapësirë të madhe në klubet e tyre.
Asllani luajti më shumë minuta te Kosova sesa te Hoffenheimi pas dështimit për të kaluar te Leipzigu në verë.
Edhe Rashica fitoi më shumë hapësirë te Kosova se te Beshiktashi. Për klubin ka luajtur 21 minuta në gjashtë ndeshje, ndërsa te Kosova u paraqit 17 minuta kundër Irlandës dhe nga 21 minuta ndaj Izraelit dhe Austrisë.
Asllani realizoi gol të bukur ndaj Austrisë, me asistim të Zhegrovës. Rashica e qëlloi shtyllën.
Te Hoffenheimi, Asllani ka luajtur 18 minuta në dy ndeshje në Bundesligë dhe 15 minuta në një ndeshje në Ligën e Evropës, ndërsa te Kosova luajti 90 minuta kundër Izraelit. Pak minuta luajti kundër Irlandës, ndërsa ndaj Austrisë u paraqit dhjetë minuta në ndeshjen në Vjenë dhe 23 minuta në Prishtinë.
“Asllani tani ka fituar minutazhë me ekipin kombëtar të Kosovës, duke bërë dy paraqitje si zëvendësues dhe një si titullar, dhe së fundmi duke shënuar një gol kundër Austrisë. Asllani do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për Hoffenheimin. Ai është një nga shpresat më të mëdha për t’i dhënë fund serisë së rezultateve të dobëta. Sezonin e kaluar, Asllani ishte i përfshirë drejtpërdrejt në 19 gola në ligë. Është vetëm çështje kohe para se të shënojë përsëri këtë sezon”, shkruan mediumi gjerman “Magazin”.