Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se zyrtarë amerikanë dhe iranianë janë takuar të martën, pak pasi në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka kërcënuar se mund ta “asgjësonte” Republikën Islamike nëse nuk arrihet së shpejti një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës gati shtatëmujore.
Trump ka konfirmuar bisedimet në një prononcim për gazetarët, por ka dhënë pak detaje mbi mënyrën se si janë zhvilluar diskutimet apo mbi përmbajtjen e takimit.
“Ishte një takim shumë i mirë”, ka thënë Trumpi.
Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme, Trump ka argumentuar se ai ka treguar vendosmëri, ndërsa liderët e tjerë kanë hezituar, teksa ka mbrojtur vendimin e tij për të nisur luftën me Iranin.
Por Trumpi ka sugjeruar gjithashtu se mund të jetë në një pikë vendimtare në këtë konflikt, edhe pse i ka bërë thirrje Republikës Islamike të rihapë plotësisht Ngushticën e Hormuzit dhe të rikthehet në tryezën e negociatave për të gjetur një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit.
“Kam një vendim të madh për të marrë”, ka thënë Trump. “A do të arrihet një marrëveshje me Iranin që do t’i lejojë atij të rindërtohet dhe të krijojë një vend shumë më të madh se sa ka qenë ndonjëherë më parë, ndoshta një nga vendet më të mëdha në Lindjen e Mesme, apo edhe në botë? Apo do ta asgjësoj Republikën Islamike dhe do ta bëj këtë shpejt, pa u dhënë kurrë mundësinë të vrasin dhe shkatërrojnë përsëri njerëz dhe vende?”, ka deklaruar ai.