Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
DIE WELT

Trump wird auch dieses Jahr nicht den Friedensnobelpreis gewinnen, aber er wird den Gewinner beeinflussen, sagen Experten.

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do ta fitojë Çmimin Nobel për Paqe të këtij viti, ndërsa zhvillon luftë me Iranin, por ndikimi i tij do të ndihet te organi që përzgjedh laureatin, sipas ekspertëve.

Çmimi i vitit të kaluar, që i është dhënë venezuelianes, Maria Corina Machado, ishte unik në historinë 125-vjeçare të çmimit, pasi u dha në një kohë kur Trumpi po lobonte vazhdimisht për ta fituar këtë çmim. Disa javë më vonë, Machado ia dha Trumpit medaljen e saj të artë të Nobelit, në përpjekje për të siguruar mbështetje për përpjekjet e saj për një Venezuelë demokratike.

Këtë vit, komiteti prej pesë anëtarësh do të jetë i vëmendshëm për të zgjedhur dikë që mund t’i përballojë presionit të Trumpit, sipas Haakon Gjerloew, drejtor në detyrë i Institutit të Kërkimeve për Paqen në Oslo.

“Unë mendoj se ngjarjet e vitit të kaluar rreth Çmimit Nobel për Paqe, veçanërisht fakti që Maria Corina Machado ia dha më pas Trumpit, do të ndikojnë në disa nga konsideratat që ata do të bëjnë”, ka thënë ai për Reuters.

“Një shqetësim që mund të ketë komiteti është nëse dhënia e çmimit dikujt mund ta vendosë atë nën presionin e Donald Trumpit... Mendoj se komiteti do të shqyrtojë nëse çmimi sjell më shumë dëm apo më shumë dobi”, ka shtuar Gjerloeë.

Kjo mund të nënkuptojë që çmimi t’i jepet Papa Leonit, Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ose Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, thonë ekspertët. Fituesi do të shpallet më 9 tetor.

Leoni, Papa i parë i lindur në SHBA, ka thënë se do të vazhdojë të flasë kundër luftës, pasi presidenti e quajti “të dobët” për kritikat ndaj konfliktit të SHBA-së me Iranin.

Enciklika e Papës mbi inteligjencën artificiale, angazhimi i tij për dialog dhe zgjidhje paqësore të konflikteve, thirrjet për respektimin e migrantëve dhe puna e tij humanitare mund të justifikojnë dhënien e çmimit.

“Papa përfaqëson më shumë sesa thjesht një figurë fetare. Ai është shfaqur si një mendimtar kryesor”, ka thënë për Reuters Karim Haggag, drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm.

Ndërkohë, Albanese, nga Italia, është kritikuar ashpër nga SHBA-ja dhe Izraeli për qëndrimet e saj kritike ndaj mënyrës se si Izraeli po zhvillon luftën kundër Hamasit në Gaza dhe ndaj pushtimit të Bregut Perëndimor.

Për të qenë të sigurt, ngjarjet tronditëse të vitit të kaluar mund të kenë edhe efektin e kundërt te komiteti: të zgjedhë një kandidat të sigurt dhe jo kontrovers, që ka më pak gjasa ta zemërojë Trumpin, i cili fajësoi Norvegjinë, ku vendoset për çmimin, se nuk ia dha këtë vlerësim herën e fundit.

Kjo mund të nënkuptojë njohjen e “Dhomave të Reagimit Emergjent” të Sudanit, një rrjet sudanez grupesh komunitare që ofrojnë ndihmë gjatë luftës civile, ose të organizatës joqeveritare “Save the Children”, për ndihmën që u jep fëmijëve në zonat e konfliktit.

Por komiteti është gjithashtu nën presion për t’iu përgjigjur sfidave që Trumpi i paraqet rendit ndërkombëtar, të cilin komiteti e vlerëson, ka thënë Oeivind Stenersen, historian që ka shkruar për Çmimin Nobel për Paqe.

“Ata kanë një lloj presioni... për të qenë të ashpër ndaj Trumpit”, ka thënë ai për Reuters. “Në këtë situatë të rëndë ndërkombëtare, ky vit kërkon një Çmim Nobel për Paqe në mbrojtje të demokracisë liberale, së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut”.

Kjo mund të nënkuptojë nderimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), në një kohë kur Washingtoni po përgatit sanksione gjithëpërfshirëse ndaj kësaj gjykate ndërkombëtare, sipas burimeve. Ndërsa një çmim për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) do të mbështeste respektimin e sovranitetit të shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Sipas raportimeve, Trumpi është nominuar nga liderët e Kamboxhias, Izraelit dhe Pakistanit, por shanset e tij janë “mjaft të ulëta”, sipas Gjerloeë.

Presioni i Trumpit ndaj Komitetit Norvegjez të Nobelit ka habitur shumë njerëz, përfshirë fituesen e Çmimit Nobel për Paqe, Maria Ressa, gazetare filipinase dhe amerikane, e cila ka thënë se i ndoqi zhvillimet e vitit të kaluar “me tmerr”.

“Ngacmuesit nuk e drejtojnë botën”, i ka thënë ajo Reuters gjatë një vizite në Oslo në shtator.

“Ka standarde sipas të cilave jetojmë. Fuqia nuk e bën diçka të drejtë”, ka shtuar.