Shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhitë kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu që u kanë marrë jetën 56 personave në Indi, ndërsa në Nepal kanë humbur jetën 14 persona dhe 11 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Autoritetet në Nepal kanë paralajmëruar të dielën se ekziston mundësia për përmbytje të tjera të menjëhershme.
Shteti verior indian i Uttar Pradesh-it ka regjistruar 66,5 mm reshje shiu midis 25 shtatorit dhe mëngjesit të 27 shtatorit, krahasuar me nivelin normal prej 7,6 mm për këtë periudhë, ka deklaruar të dielën Hrishikesh Bhaskar Yashod, komisioneri shtetëror për menaxhimin e emergjencave.
Autoritetet po kryejnë operacione shpëtimi në zonat e përmbytura dhe po shpërndajnë ndihma, ndërsa zyrtarët janë udhëzuar të vlerësojnë dëmet në të mbjella dhe të ofrojnë kompensim.
Përveç 56 viktimave, 46 persona kanë mbetur të lënduar dhe më shumë se 1 000 shtëpi janë dëmtuar.
Autoritetet nepaleze kanë paralajmëruar për mundësinë e përmbytjeve të menjëhershme në 49 nga 77 distriktet e vendit, ku më shumë se gjysma e tyre përballen me rrezik të lartë përmbytjesh, ndërsa nivelet e ujit në lumenjtë dhe degët kryesore vazhdojnë të rriten.
Shanti Mahat, zëdhënëse e Autoritetit Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Riskut nga Katastrofat, ka thënë se Rasuëa dhe Nuëakot, zona të goditura nga përmbytjet vdekjeprurëse të muajit të kaluar që kanë shkaktuar mbi 1 450 viktima dhe kanë lënë mijëra të zhdukur, duhet të qëndrojnë në gjendje gatishmërie, por aktualisht nuk konsiderohen zona me rrezik të lartë.