Ushtria amerikane ka njoftuar të martën se po godet objektiva në Iran, ndërsa armiqësitë janë përshkallëzuar sërish pas një muaji pa veprime ushtarake.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka thënë se sulmet “vijnë pas përpjekjeve të fundit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe pjesëtarët e shërbimit amerikan të dislokuar në rajon”.
Të dielën, ushtria amerikane ka thënë se kishte goditur lëshues raketash në ishullin Larak, në Ngushticën e Hormuzit. Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar raketa drejt objekteve amerikane në Jordani, të cilat u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se kishin ndaluar një dron iranian mbi ujërat e tyre. Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pranuar të hënën se mund të nevojiteshin sulme të tjera.
Trump ka deklaruar se bombardimet amerikane dhe izraelite e kanë lënë Iranin “një shtet të dështuar”.
Ai ka thënë se një pjesë e madhe e udhëheqjes politike të vendit është vrarë, ekonomia iraniane është tronditur nga inflacioni në rritje dhe ushtria e tij është dëmtuar rëndë.
Megjithatë, Trumpi e ka pranuar se mund të nevojiteshin sulme të tjera.
“Edhe kjo nuk do të thotë se nuk do t’i godasim”, u ka thënë Trumpi gazetarëve. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka shtuar ai.
SHBA-ja dhe Irani janë përfshirë në një luftë prej më shumë se gjashtë muajsh, ndërsa pauza e fundit në luftime ka zgjatur një muaj. Rikthimi në një konflikt të hapur do të ishte i rrezikshëm për rajonin, ku Irani ka goditur bazat ushtarake amerikane dhe infrastrukturën në vendet e Gjirit që nga fillimi i luftës.
Televizioni shtetëror iranian ka raportuar për shpërthime në qytetin port jugor Bandar Abbas, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.