Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
DIE WELT

Der Konsum von Drogen anstelle von Alkohol durch junge Menschen – ein neuer Trend, der Experten beunruhigt.

Der Konsum von Drogen anstelle von Alkohol durch junge Menschen – ein neuer Trend, der Experten beunruhigt.

Gjithnjë e më shumë të rinj po marrin në mënyrë të paligjshme barna të licencuara si alternativë ndaj alkoolit për të tejkaluar situata me të cilat përballen. Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e varësisë dhe efekteve të tjera, ndërsa disa thonë se këto ilaçe mund të jenë më pak të dëmshme se konsumimi i tepërt i alkoolit

Për të shijuar një mbrëmje me miqtë, Matt dikur pinte alkool derisa të ndihej keq. Nëse nuk e bënte këtë, 22-vjeçari nga veriu i Anglisë e kalonte mbrëmjen në heshtje, i frikësuar se mos thoshte diçka të gabuar. Punëtori i një magazine thotë se i dukej sikur nuk kishte “asnjë mënyrë tjetër për të hyrë” në bisedat që të gjithë të tjerët i shijonin.

Por, dy vjet më parë, ai i zëvendësoi gotat e alkoolit me barna të licencuara, për të cilat kishte mësuar përmes rrjeteve sociale.

Tani, kur përgatitet për të dalë të premten në mbrëmje, Matt, emri i të cilit është ndryshuar, merr një ilaç që e blen ilegalisht në internet. Zakonisht, ky medikament përdoret për trajtimin e epilepsisë dhe dhimbjeve nervore. Krahas tij, ai merr edhe një beta-bllokues, i cili ngadalëson rrahjet e shpejta të zemrës dhe qetëson dridhjet e muskujve, simptoma fizike të ankthit.

Ai thotë se këto barna i japin efektet e alkoolit, por nuk i sjellin gjendjen e keqe ditën e nesërme.

“Sasia e alkoolit që duhet të pish për të arritur të njëjtin efekt është vërtet e pashëndetshme dhe nuk ndihesh mirë”, thotë ai.

Matt thotë se barnat e bëjnë të ndihet “euforik”, i qetësojnë mendimet që i shkaktojnë ankth dhe e bëjnë më të lehtë shoqërimin me të tjerët.

Por, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i këtyre barnave pa mbikëqyrje mjekësore dhe në doza të larta mund të jetë i rrezikshëm. Në disa raste, mund të jetë edhe kërcënues për jetën.

Përdorimi afatgjatë mund të shkaktojë varësi. Përdoruesit mund të arrijnë në pikën ku ndiejnë se kanë nevojë për ilaçet në çdo situatë shoqërore. Ata gjithashtu raportojnë rritje të ankthit, pagjumësi dhe mendime vetëvrasëse kur përpiqen t’i ndërpresin.

Për Matt, i cili thotë se ka provuar edhe terapinë për të trajtuar ankthin social, ajo që nisi si një mënyrë për të përballuar netët jashtë tashmë shtrihet edhe në takimet romantike dhe mbledhjet familjare.

Pa ilaçet, Matt thotë se ka shumë situata shoqërore që “as nuk do të përpiqej t’i përballonte”.

Megjithatë, Matt mohon se është bërë i varur nga ilaçet.

Në mbarë botën, të dhënat tregojnë se të rinjtë po marrin barna dhe substanca eksperimentale si alternativa ndaj alkoolit.

Disa prej tyre janë në formën e tabletave, si pregabalina dhe propranololi, të cilat i përdor Matt. Të tjera injektohen, si peptidet, një lloj proteine që po bëhet gjithnjë e më popullore në internet.

Kjo lidhet me përpjekjet për të qetësuar ankthin social, i cili duket se po prek veçanërisht fort Gjeneratën Z, të lindurit mes viteve 1997-2012.

Sipas një studimi të publikuar vitin e kaluar nga University College London, 28% e personave në fillim të të 20-ave në Angli raportojnë nivele të larta ankthi. Studimi gjeti gjithashtu se problemet serioze të shëndetit mendor janë shumë më të zakonshme te Gjenerata Z sesa te gjenerata “Millennials” (personat e lindur nga viti 1981 deri më 1996), kur ishin në të njëjtën moshë.

Ky trend po shqetëson shkencëtarët dhe po i shtyn ata të pyesin se përse disa të rinj mendojnë se mund të shoqërohen vetëm me ndihmën e substancave.

“Gjenerata e kthjellët”

Kërkimi për alternativa “më të shëndetshme” ndaj alkoolit ka ndihmuar në krijimin e një tregu të ri për substancat që promovohen në rrjetet sociale si mjete për t’u shoqëruar pa pasojat e alkoolit të nesërmen.

Ato konsiderohen si një “alternativë më e pastër dhe më e sigurt”, thotë Liam Knowles, studiues në Universitetin e Teesside.

“Përdoruesit nuk ndihen aq keq ditën tjetër dhe bëhet fjalë për një ilaç, ndaj njerëzit mendojnë se është më i sigurt”, thotë ai.

Është e vështirë të përcaktohet se sa të rinj po përdorin barna të licencuara, pasi shumë prej tyre i sigurojnë pa recetë.

Knowles mendon se “ndoshta një numër i konsiderueshëm njerëzish po bëhen të varur”.

Hashtagët që lidhen me këto ilaçe shfaqin mijëra video në rrjetet sociale. Përdoruesit inkurajohen të krijojnë kombinimet e tyre të ilaçeve, një praktikë e njohur në internet si “stacking” ose “koktej barnash”.

Interesi në rritje për këto substanca vjen në një kohë kur të rinjtë po largohen gjithnjë e më shumë nga alkooli. Për këtë arsye, Gjenerata Z ka marrë edhe nofkën “gjenerata e kthjellët”.

Të njëjtët influencues që promovojnë përfitimet e këtyre kombinimeve u rekomandojnë ndjekësve të shmangin edhe alkoolin.

Një sondazh i zhvilluar vitin e kaluar nga organizata bamirëse “Drinkaware” tregoi se 26% e të rinjve 18 deri në 24 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar nuk konsumonin alkool. Në vitin 2012, kjo shifër ishte vetëm 7%.

Ndërkohë, profesoresha Emily Jones, psikologe në King's College London, beson se pandemia e COVID-19 mund të ketë ndikuar në rritjen e ankthit social, veçanërisht te të rinjtë.

“Masat e izolimit, në thelb, i mësuan të gjithë të kishin frikë nga ndërveprimi shoqëror”, thotë ajo.

Për të rinjtë që duan të eksperimentojnë, pregabalina është bërë një nga substancat kryesore me interes.

Një studim i publikuar në revistën “Nature Communications” vlerësoi se konsumi global i këtij ilaçi u rrit më shumë se katërfish midis viteve 2008 dhe 2018.

Ndërkohë, është rritur ndjeshëm edhe numri i vdekjeve ku pregabalina është përfshirë si shkaktar.

Të dhënat e Zyrës për Statistikat Kombëtare tregojnë se pregabalina u përmend në 2,360 certifikata vdekjeje për helmime të lidhura me drogat në Angli dhe Uells, gjatë periudhës 2020-2024.

Në periudhën 2015-2019, kjo shifër ishte 768.

Një prej këtyre rasteve ishte Alex Cottam, një inxhinier softuerësh 27-vjeçar nga Eccles. Nëna e tij, Michelle, e përshkruan atë si “të dashur, të zgjuar dhe të pëlqyer nga të gjithë”.

Atij iu përshkrua pregabalina për trajtimin e ankthit. Por nëna e tij thotë se ai “u bë i varur” dhe filloi ta siguronte ilaçin edhe përmes faqeve ilegale në internet.

“Çdo ditë nuk mund të mos mendoj se pregabalina ma vrau djalin”, i tha ajo BBC-së në vitin 2024.

Në Angli, në vitin 2019 pregabalina u klasifikua si substancë e kontrolluar e Kategorisë C. Personat që e blejnë pa recetë përballen me një dënim deri në dy vjet burg. Megjithatë, në praktikë, shumë pak persona dënohen me burgim.

Pregabalina vazhdon të përshkruhet gjerësisht për trajtimin e epilepsisë, dhimbjeve nervore dhe ankthit.

Këshilltarët e pavarur të qeverisë britanike për çështjet e drogës kanë nisur gjithashtu një rishikim për të shqyrtuar keqpërdorimin e saj.

Në Jordani, Ukrainë dhe Indi, studiuesit kanë vërejtur gjithashtu rritje të abuzimit me pregabalinën.

Në Kinë, qeveria forcoi kontrollet ndaj këtij ilaçi në fillim të këtij viti. Ajo ndaloi shumicën e shitjeve të tij në internet dhe vendosi kufizime për sasinë që mund të prodhohet në secilën provincë.

Ilaçet dhe “kombinimet” që promovohen në rrjetet sociale

Matt dëgjoi për herë të parë për ilaçet që përdor kur ishte 20 vjeç. Ai i zbuloi përmes Braden Peters, i njohur më mirë si “Clavicular”, një influencues kontrovers që gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta ka folur hapur për përdorimin e këtyre ilaçeve si pjesë e një kombinimi, të njohur si “stack”, për të ulur ankthin social.

Edhe ilaçet kanë hyrë tashmë në diskutimin publik. Aktoret Rachel Sennott dhe Kristen Bell janë ndër personazhet e njohura që kanë folur publikisht për përdorimin e beta-bllokuesve. Për këtë ka folur edhe influencuesja Khloé Kardashian.

Pregabalina, veçanërisht kur merret në doza më të larta se ato të përshkruara, mund t’i bëjë përdoruesit të ndihen të relaksuar dhe të lumtur. Efekti mund të ngjajë me ndjesinë e dehjes.

Pikërisht këto efekte kërkonte Mei, një studente 20-vjeçare në Kinë, emri i së cilës është ndryshuar.

Ajo thotë se ilaçet i lehtësojnë simptomat fizike të ankthit dhe mund ta bëjnë të ndihet “euforike”. Fillimisht nisi t’i merrte për festa.

“Ishte sikur mund të bëhesha personi më interesant në dhomë”, thotë ajo.

Rrjetet sociale nuk duket se po u ofrojnë të rinjve njohuri vetëm me këto substanca. Ato mund t’i ndihmojnë gjithashtu t’i sigurojnë ato.

Hulumtimi i BBC-së ka gjetur influencues që shesin disa prej këtyre ilaçeve përmes faqeve të internetit të lidhura me profilet e tyre në rrjetet sociale.

Mei thotë se ilaçin e bleu përmes një platforme kineze të rrjeteve sociale.

“Ka mijëra postime ku shitet”, thotë ajo.

“S’është zgjedhje pa pasoja”

Këto ilaçe mund të jenë gjithashtu dukshëm më të lira se alkooli.

Matt thotë se për një mbrëmje jashtë shpenzon vetëm 18 cent për ilaçet. Ai e konsideron këtë një “bonus të këndshëm”.

Studiuesi Knowles thotë se shumë prej të rinjve që ka takuar në Britani dhe që i përdorin këto ilaçe për qëllime rekreative janë shumë të përqendruar te shëndeti.

“Njerëzit nuk duan kaloritë”, thotë ai.

“Ata mendojnë: ‘Mjeku im nuk do të ma përshkruante nëse do të ishte i dëmshëm’”, shton Knowles.

Kjo mënyrë e të menduarit i duket e arsyeshme edhe Mattit. Ai shkon rregullisht në palestër dhe beson se këto ilaçe kanë një “ndikim shumë më të vogël” në trupin e tij sesa alkooli, veçanërisht në mëlçi dhe zemër.

“Njerëzit në këtë komunitet besojnë se pregabalina është më e shëndetshme se alkooli”, thotë ai.

Alkooli është lidhur me të paktën shtatë lloje të kancerit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se çdo sasi e konsumuar e alkoolit paraqet rrezik.

Profesori David Nutt, neuropsikofarmakolog në Imperial College London, i cili prej kohësh bën thirrje për ligje më të buta ndaj drogave, argumenton se ilaçet që merr Matt mund të jenë më pak të dëmshme sesa konsumimi i madh i alkoolit. Megjithatë, edhe ato kanë rreziqet e tyre.

“Propranololi dhe pregabalina janë padyshim më të sigurta se alkooli, por nuk janë plotësisht të sigurta”, thotë ai.

Megjithatë, ai thotë se situata ndryshon kur pregabalina përdoret në doza të larta për të shkaktuar dehje, siç thotë Matt se po bën.

“Nëse e përdorin si një substancë për t’u dehur, atëherë rrezikojnë të krijojnë varësi”, thotë ai.

“Nuk është zgjedhje pa pasoja”, shton Nutt.

Edhe propranololi bart rreziqe. Në përgjithësi konsiderohet i sigurt kur merret sipas përshkrimit të mjekut. Por përdorimi i papërshtatshëm ose në doza të larta mund të shkaktojë marramendje, të fikët dhe ulje të rrezikshme të rrahjeve të zemrës.

Rreziqet mund të jenë edhe më të mëdha kur ilaçet sigurohen nga burime të pakontrolluara.

“Ekziston gjithmonë rreziku që të marrësh ilaçe që nuk janë prodhuar sipas standardeve mjekësore”, thotë Nutt.

Rreziku i varësisë

Jones, psikologe në King's College London, argumenton se krahasimi i dëmeve fizike të këtyre ilaçeve me alkoolin mund të na largojë nga një pyetje më themelore: çfarë ndodh kur njerëzit fillojnë të besojnë se mund të socializohen vetëm me ndihmën e substancave?

“Alkooli në sasi të mëdha është i rrezikshëm, por është gjithashtu e rrezikshme të marrësh ilaçe në mënyrë të përsëritur pa qenë nën mbikëqyrjen e mjekut”, thotë ajo.

Ajo është veçanërisht e shqetësuar se përdorimi i ilaçeve për të shmangur ndjenjat e ankthit mund të përforcojë bindjen se situatat e zakonshme shoqërore janë të frikshme.

Ajo thotë se ajo që nis si një tabletë para një feste mund të fillojë të merret gradualisht edhe në takime, mbledhje në punë dhe jetën e përditshme.

“E humb besimin te aftësia jote për t’i përballuar gjërat në mënyrë efektive”, thotë ajo.

Ajo që për Meiin nisi si një “kombinim për daljet në mbrëmje”, shumë shpejt u shtri edhe te provimet, fjalimet dhe debatet.

Në fund, ajo thotë se kishte nisur t’i merrte ilaçet çdo ditë.

“Tani nuk mund të dal nga shtëpia pa to”.

Sofia, një punonjëse në fushën e shërbimit ndaj klientëve në Ukrainë, ndoqi një rrugë të ngjashme.

Fillimisht ajo merrte pregabalinë para festave dhe aktiviteteve shoqërore. Por shumë shpejt nisi ta përdorte edhe në punë.

“Më ndihmonte”, thotë ajo. “Punoja me njerëz. Ma bënte më të lehtë të komunikoja dhe të zgjidhja problemet”.

Kur nuk mundi ta siguronte ilaçin për dy javë, ajo thotë se përjetoi episode depresive dhe mendime vetëvrasëse.

“Nuk e kuptoja çfarë po më ndodhte. Isha në ankth, nuk mund të haja dhe nuk mund t’i takoja miqtë”.

Knowles thotë se përdoruesit e rinj shpesh nuk e kuptojnë se janë bërë të varur, nëse në përgjithësi vazhdojnë të funksionojnë normalisht, për shembull duke mbajtur një vend pune ose një marrëdhënie.

Në vend të kësaj, ata e lidhin varësinë vetëm me njerëzit, jeta e të cilëve është shkatërruar dukshëm.

Barnat në tregun e zi

Ndërsa Kina, India dhe vende të tjera po përpiqen të kufizojnë përdorimin e këtyre ilaçeve, disa argumentojnë se kufizimi i mëtejshëm i aksesit mund të krijojë rreziqe të tjera.

Mykyta Lapin, epidemiolog dhe drejtues i organizatës ukrainase “Mind Games”, thotë se ndalimi i substancave nuk do të thotë domosdoshmërisht se njerëzit do të ndalojnë së përdoruri ato.

“Ndalimi i substancave të caktuara thjesht i shtyn njerëzit drejt tregut të zi, ku blejnë barna me cilësi të dyshimtë”, thotë ai. Sipas tij, kjo mund të rrisë rrezikun e mbidozave.

Knowles thotë se pregabalina e blerë në mënyrë të paligjshme bart një rrezik shtesë, pasi përdoruesit mund të mos e dinë saktësisht se çfarë po marrin.

“Nëse blini një pije alkoolike në një dyqan [në Britani] dhe në etiketë shkruhet sasia e njësive të alkoolit dhe përqindja, atëherë kjo është ajo që përmban”, thotë ai.

Sipas tij, e njëjta siguri nuk ekziston gjithmonë për pregabalinën e blerë në internet.

“Ky është një rrezik shtesë që nuk ekziston kur blen një shishe pije alkoolike”, thotë ai.

Pavarësisht se i përdor këto ilaçe kryesisht për ta pasur më të lehtë shoqërimin, Matt mbetet i bindur se po bën një zgjedhje më të shëndetshme.

“Kur shoh përmirësimin e cilësisë së jetës sime, krahasuar me atë që e konsideroj një ndikim shumë të vogël në shëndetin tim, për mua shkëmbimi është shumë i qartë”, thotë ai.

“Për mua, është një shkëmbim që ia vlen”.

Shumica e mjekëve e kundërshtojnë fuqishëm përdorimin e paligjshëm të këtyre barnave, siç e bën Matt.

Megjithatë, me miliona të rinj që kërkojnë një zgjidhje të dukshme dhe të lehtë për ankthin, numri i personave që përdorin këto substanca si alternativa ndaj alkoolit mund të vazhdojë të rritet.