Një vit pas zhdukjes së 4-vjeçarit Gus Lamont në një zonë të thellë të Australisë, hetimet ende nuk kanë sjellë përgjigje. Pavarësisht kërkimeve të gjera dhe përdorimit të teknologjisë së avancuar, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e djalit
Shtatorin e kaluar, 4-vjeçari Gus Lamont luante në rërë pranë shtëpisë së gjysheve, në një zonë të thellë të Australisë. Me një kapele gri, flokët e gjatë biondë dhe një bluzë blu me personazhet “Minions”, ai ishte duke luajtur në oborrin e rrethuar të shtëpisë.
Kur gjyshja shkoi ta kontrollonte, Gus ishte zhdukur.
Shtëpia ndodhet në një fermë të izoluar delesh, rreth 50 kilometra larg qytetit më të afërt. Zhdukja e djalit pasoi me operacionin më të madh të kërkimit në historinë e policisë së Australisë së Jugut.
Për ditë me radhë, qindra policë, ushtarakë dhe ekipe kërkimi kontrolluan zonën përreth shtëpisë. U përdorën dronë me kamera speciale, u kontrolluan gjashtë puse miniere dhe u zbrazën tre rezervuarë uji.
Por nuk u gjet asnjë gjurmë e Gusit, as kapela, as bluza dhe as këpucët që kishte veshur.
Pesë muaj më vonë, policia bëri një njoftim të papritur: rasti tashmë po trajtohej si një çështje e rëndë kriminale.
Hetimet u përqendruan te tre familjarë që ndodheshin në pronë më 27 shtator 2025, kur Gus u zhduk: nëna e tij dhe dy gjyshërit.
Detektivi Darren Fielke tha se në dëshmitë e familjarëve ishin gjetur “mospërputhje”. Sipas tij, një person që jeton në fermën Oak Park nuk po bashkëpunonte më me policinë.
Fielke përjashtoi prindërit e Gusit si të dyshuar, duke e përqendruar dyshimin te njëri prej gjyshërve. Ky i fundit i ka mohuar publikisht akuzat.
Shtatë muaj pas zhdukjes, askush nuk është arrestuar apo akuzuar dhe, të paktën publikisht, policia ende nuk ka dhënë një përgjigje për një nga rastet më misterioze të personave të zhdukur në Australi.
Një fermë e izoluar në Australi
Nga ajri, ferma “Oak Park” duket si një pikë e vogël në një hapësirë të pafund dhe kryesisht të shkretë. Ajo ndodhet rreth 240 kilometra në veri të Adelaides, mes pemëve, bimësisë së ulët, rrugëve të gjata dhe gardheve.
Dy rrugë të paasfaltuara e lidhin zonën me qytetin më të afërt, Yunta. Për të mbërritur atje, duhet të kalohen edhe disa porta që, sipas policisë, pronarët i mbanin zakonisht të mbyllura.
Banorët e fermës jetonin të izoluar dhe rrallë kishin kontakte me të tjerët. Distanca e madhe dhe puna e përditshme në fermën e deleve e bënin këtë izolim edhe më të madh.
Prona u përket gjysheve të Gusit, Josie (është grua trans dhe kishte qenë biologjikisht babai i Jessicas para tranzicionit) dhe Shannon Murray, prindërit e nënës së tij, Jessica Murray.
Ditën kur Gus u zhduk, Josie dhe Jessica kishin dalë me qentë për t’i mbledhur delet. Ato u kthyen në shtëpi rreth orës 17:30.
Ndërkohë, Shannon po kujdesej për Gusin dhe vëllain e tij të vogël, Ronnie. Ajo e kishte humbur nga sytë për pak çaste, ndërsa ai luante si zakonisht në pronë.
Josie tregoi se Shannon u kishte thënë se Gus po luante pranë një strehe që familja e quante “strehë kundër bombave”.
Kur shkuan ta kontrollonin, ai nuk ishte aty.
Shannon tha se e kishte parë për herë të fundit rreth orës 17:00. Kjo do të thotë se Gus u zhduk brenda vetëm 30 minutash.
Sipas familjes, Gus e pëlqente shumë të eksploronte pronën, në këmbë ose me biçikletën e tij. Edhe më parë ishte larguar pak nga shtëpia, por nuk kishte shkuar kurrë shumë larg.
Në një video të publikuar nga familja për të ndihmuar kërkimet, Gus shihet me një kapele të madhe, duke lëvizur zbathur me biçikletën e tij në një rrugë me gurë.
“E donte shumë biçikletën. Ishte thjesht një fëmijë katërvjeçar, i lumtur dhe normal”, kujtoi gjyshja e tij.
Kërkimet nisën para se të binte nata
Sapo kuptuan se Gus mungonte, nëna dhe gjyshet nisën ta kërkonin në të gjithë pronën.
Ata kontrolluan fillimisht bodrumin që po ndërtonin, pishinën dhe ndërtesat përreth.
Por drita e ditës po shuhej shpejt.
Familja përdori motorët për të kontrolluar pjesët më të largëta të pronës, përfshirë rezervuarët e ujit, digën dhe ndërtesën ku qetheshin delet.
Rreth orës 20:00, errësira kishte mbuluar gjithçka. Vetëm dritat e makinave dhe elektrikët ndriçonin rrugët e fermës.
Atëherë familja thirri policinë.
Një efektiv nga qyteti më i afërt mbërriti për t’i ndihmuar në kërkime. Mbi zonë fluturoi edhe një helikopter policie me kamera me rreze infra të kuqe.
Me agimin nisi kërkimi në këmbë, në një sipërfaqe prej rreth 94 kilometrash katrorë. Dronët skanuan terrenin e thatë dhe me bimësi të dendur.
Por edhe teknologjia kishte kufizimet e saj.
Rëra dhe bimësia e shkretëtirës ruanin nxehtësinë edhe pasi dielli kishte perënduar. Kjo bënte që pothuajse çdo shkurre të shfaqej në kamerat termike si një objekt i nxehtë.
Gjatë ditës, temperaturat arrinin rreth 30 gradë Celsius, ndërsa gjatë natës binin nën 10 gradë.
Ekspertët e kërkim-shpëtimit thonë se fëmijët e vegjël mund të gjejnë një vend ku të strehohen, por nuk kanë aftësinë të sigurojnë ujë, ushqim apo ngrohtësi.
Kërkimi bëhet edhe më i vështirë sepse fëmijët nuk ecin domosdoshmërisht në vijë të drejtë. Ata mund të ndjekin një flutur, një kafshë shtëpiake apo edhe një rreze drite mes pemëve.
Prandaj, për të gjetur një fëmijë, kërkuesit duhet ta shohin terrenin edhe nga këndvështrimi i tij.
A u rrëmbye Gusi?
Kur një fëmijë zhduket në një qytet, policia aktivizohet menjëherë edhe për mundësinë e një rrëmbimi.
Por në zonat e thella të Australisë, ndihma kërkon më shumë kohë. Natën e zhdukjes së Gusit, një polic i dytë që u thirr në fermë humbi rrugën dhe, pavarësisht udhëzimeve të familjes, hoqi dorë nga përpjekja për ta gjetur.
Ferma Oak Park nuk ka as tabelë që tregon vendndodhjen. Sipas detektivit Darren Fielke, për të mbërritur atje duhet njohur mirë zona.
Për këtë arsye, policia nuk beson se Gusi u rrëmbye.
“Është një vend ku nuk shkon thjesht rastësisht”, tha Fielke.
Sipas tij, nuk u gjetën gjurmë të dyshimta automjetesh që të tregonin hyrjen ose largimin e dikujt nga prona. Gjithashtu, policia mori në pyetje personat në zonë që mund të përbënin rrezik për fëmijët, por ata u përjashtuan nga hetimet.
Fielke tha se Gusi nuk kishte një rutinë që e nxirrte rregullisht jashtë shtëpisë në atë orar. Për këtë arsye, ai e konsideroi shumë të pamundur që dikush të kishte ndjekur lëvizjet e tij dhe të kishte qenë pikërisht aty në momentin e duhur.
Sipas tij, mundësia që dikush ta kishte rrëmbyer Gusin ishte “jashtëzakonisht e ulët”.
Por gjyshja e tij, Josie Murray, nuk është dakord.
Ajo beson se është plotësisht e mundur që dikush të ketë kaluar me makinë në rrugën e izoluar dhe ta ketë marrë Gusin pranë shtëpisë.
Sipas saj, edhe gjurmët e gomave apo të këmbëve mund të jenë zhdukur gjatë ditëve të para të kërkimeve, kur automjetet e shumta ngrinin pluhur në rrugët përreth.
“Duhet të ketë diçka këtu. Patjetër që duhet të ketë diçka”, tha ajo.
Kërkimet nga ajri dhe me inteligjencë artificiale
Me kalimin e ditëve dhe javëve, shpresat për ta gjetur Gusin gjallë u zbehën.
Pa asnjë përgjigje, zona e kërkimit nga ajri u zgjerua në rreth 706 kilometra katrorë.
Nëse Gusi kishte vdekur në terrenin e shkretë, policia priste të gjente të paktën trupin ose ndonjë pjesë të veshjeve të tij.
Në fund të tetorit, policia kërkoi ndihmën e kompanisë Nearmap, e cila realizon fotografi ajrore me rezolucion shumë më të lartë se imazhet e zakonshme satelitore.
Një avion fluturoi për disa ditë mbi të gjithë zonën e kërkimit dhe fotografoi terrenin në detaje të jashtëzakonshme.
Për analizimin e mijëra imazheve u përdor inteligjenca artificiale. Kompania Sci-eye, e specializuar në identifikimin e kafshëve nga fotografitë ajrore, analizoi pamjet.
Në zonën e fermës “Oak Park”, sistemi identifikoi rreth 10 mijë dele, 6 mijë dhi, mijëra kangurë të kuq, e shumë kafshë të tjera.
Por jo Gusin.
Pesëmbëdhjetë objekte të dyshimta u sinjalizuan te policia, por asnjëri nuk rezultoi i lidhur me fëmijën.
Ekspertët pranuan se teknologjia nuk është e pagabueshme. Nëse Gusi ishte futur nën ndonjë shkurre ose pemë për të fjetur, kamerat mund të mos e kishin dalluar.
“Është e mundur që të jetë larguar dhe të jetë fshehur nën një pemë, ku ne nuk mund ta shohim”, tha drejtori i Sci-eye, Andrew Walsh.
A mund ta ketë marrë ndonjë kafshë?
Një mik i familjes hodhi idenë se Gusin mund ta ketë marrë një shqiponjë.
Por eksperti i shpendëve grabitqarë, Ian Falkenberg, e përjashton këtë mundësi. Sipas tij, shqiponjat, edhe pse janë të mëdha, peshojnë vetëm disa kilogramë dhe nuk kanë forcë ta ngrenë një fëmijë katërvjeçar, që peshonte rreth 13 kilogramë.
Ai tha se këto shqiponja kanë një reputacion të ekzagjeruar për sulmet ndaj bagëtive dhe se nuk ka hasur raste të besueshme të sulmeve ndaj njerëzve.
Një tjetër mundësi janë dingot, qentë e egër vendas të Australisë, të njohur për sulme fatale ndaj njerëzve.
Por gjatë kërkimeve në zonën e “Oak Park” nuk u pa asnjë dingo.
Në këtë territor gjenden edhe gjarpërinj shumë helmues, të cilët mund të jenë vdekjeprurës për një fëmijë të vogël.
Megjithatë, ekspertët thonë se nëse Gusi do të kishte vdekur në terren, kafshët që ushqehen me kufoma do të kishin lënë gjurmë. Shpendët grabitqarë do të ishin parë duke fluturuar mbi zonë.
Edhe derrat e egër, që ushqehen me kafshë të ngordhura, janë të përhapur në Australi. Por analizat e fotografive ajrore nuk zbuluan asnjë të tillë në zonën e kërkimit.
“A ishte vërtet aty?”
Mungesa totale e gjurmëve, madje edhe e një pjese të veshjeve, bëri që policia të shqyrtonte një mundësi që fillimisht dukej e pamendueshme.
Eksperti i kërkimeve, Jim Whitehead, tha se kur nuk gjendet asgjë, lind pyetja nëse fëmija ishte vërtet në atë vend kur u raportua i zhdukur.
Kur policia e cilësoi rastin si “krim të rëndë”, nuk bëri publik emrin e të dyshuarit. Por më vonë u raportua se bëhej fjalë për gjyshen e Gusit, Josie Murray.
Fillimisht, policia kishte tri pista: Gusi ishte larguar vetë, ishte rrëmbyer ose dikush që e njihte ishte përfshirë në zhdukjen dhe vdekjen e tij.
Pasi dy mundësitë e para u konsideruan më pak të mundshme, hetimet u përqendruan te e treta.
Josie Murray e ka mohuar kategorikisht këtë.
“Ata mendojnë se unë e kam varrosur”, tha ajo në intervistën e saj të vetme publike. Sipas saj, një pretendim i tillë është absurd.
Policia e Australisë së Jugut nuk ka konfirmuar publikisht nëse Josie është e dyshuar, duke thënë se hetimi është ende aktiv.
Josie dhe Shannon Murray kishin qenë të martuara më parë dhe vazhdojnë të jenë bashkëpunëtore në biznes, duke jetuar dhe punuar në të njëjtën pronë.
Një mik i familjes pretendoi se policia ishte përqendruar te Josie për shkak të historisë së saj gjinore. Zëvendëskomisionerja e policisë e hodhi poshtë këtë si “pa kuptim”.
Në janar, hetuesit kontrolluan sërish “Oak Park” dhe sekuestruan disa sende, mes tyre një automjet, një motor dhe pajisje elektronike.
Në maj, policia tha se ekzaminimi forenzik i këtyre sendeve nuk kishte sjellë prova të reja dhe as nuk kishte përjashtuar ndonjë të dyshuar.
Në qershor, Josie u përball me një çështje tjetër ligjore, pasi policia gjeti një silenciator të paregjistruar gjatë një kontrolli në pronë.
Në Australi, silenciatorët konsiderohen armë të ndaluara dhe posedimi i tyre kërkon leje.
Për këtë rast, ajo u gjobit me rreth 10 mijë dollarë australianë dhe u ndalua të pajisej me licencë armësh për pesë vjet.
Avokati i saj nuk pranoi të komentojë për rastin e Gusit. Avokatët e Shannon Murray thanë se ajo po bashkëpunon me policinë dhe nuk kishin komente të tjera.
Eksperti i shpendëve grabitqarë, Ian Falkenberg, tha se i njihte familjarët Murray prej rreth një dekade, që nga koha kur punonte pranë “Oak Park”, shumë vjet para lindjes së Gusit.
Ai i përshkroi banorët e zonës si njerëz të thjeshtë dhe shumë të lidhur me njëri-tjetrin.
“Janë njerëz të mirë. Ndihmojnë njëri-tjetrin dhe janë pjesë e komunitetit”, tha Falkenberg, duke kujtuar takimet me familjen.
Një vit pas zhdukjes, kërkimet për Gusin vazhdojnë.
Në maj, pas reshjeve të dendura, ekipet u rikthyen në zonë me shpresën se uji mund të nxirrte në sipërfaqe ndonjë gjurmë të re. Por pa rezultat.
Në gusht, kompania Nearmap realizoi fotografi të reja ajrore të zonës së kërkimit. Ato ende po analizohen nga ekspertët.
Reshjet kanë ndryshuar ndjeshëm peizazhin. Toka e kuqe dhe e thatë tashmë është mbuluar nga bimësia, duke e bërë edhe më të vështirë gjetjen e ndonjë prove.
Eksperti i kërkimeve, Jim Whitehead, tha se policia ka bërë gjithçka që mund të pritej për ta gjetur fëmijën.
Sipas tij, ekipet kanë kontrolluar një zonë shumë më të gjerë se ajo ku Gusi do të mund të mbijetonte i vetëm.
Ndërkohë, qeveria e Australisë së Jugut ka ofruar një shpërblim prej 1 milion dollarësh australianë për informacion që mund të çojë në gjetjen e Gusit ose në dënimin e personit përgjegjës.
“Kush di diçka, duhet të flasë”, u bëri thirrje kryeministri Peter Malinauskas qytetarëve.
Prindërit e Gusit kanë qëndruar larg vëmendjes publike gjatë gjithë kërkimeve. Por këtë javë, ata publikuan mesazhin e tyre të parë me video.
Nëna e tij, Jess, u bëri thirrje të gjithëve që kanë edhe detajin më të vogël të flasin me policinë.
“Edhe nëse keni frikë ose nuk jeni të sigurt, ju lutemi na ndihmoni”, tha ajo.
Babai i Gusit, Josh, tha se dikush e di se çfarë i ka ndodhur djalit të tyre dhe mund të dijë edhe se ku ndodhet.
“Jemi të dëshpëruar, duam ta kthejmë në shtëpi dhe duam përgjigje”, tha ai mes lotësh.