Kolonët izraelitë sulmuan fshatrat palestineze në të gjithë Bregun Perëndimor të premten, duke u vënë flakën makinave, ullishteve si dhe duke rrahur banorët dhe një gazetar të huaj, në valën e fundit të dhunës që synonte të prishte korrjen vjetore të ullinjve në territor këtë muaj.
Zyrtarët lokalë dhe Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze raportuan sulme në të paktën tetë fshatra në Bregun Perëndimor verior, ku janë përqendruar shumica e fushave me ullinj, dhe dhjetëra mijëra familje palestineze varen prej tyre për të ardhura.
Dhuna e kolonëve kundër palestinezëve është rritur ndjeshëm këtë vit sidomos ditëve të fundit në prag të zgjedhjeve të Izraelit më 27 tetor.
Në Abu Falah të premten, kolonët sulmuan fshatin ndërsa ushtria izraelite u pa duke bastisur fshatin dhe duke hedhur gaz lotsjellës.
Të paktën gjashtë palestinezë u plagosën të premten, dhe fotografja e Washington Post, Heidi Levine, u shtrua në spital pasi kolonët e rrahën në fshatin Abu Falah, duke u bërë gazetarja e dytë që punonte për mediat ndërkombëtare që rrihej nga kolonët gjatë korrjes së këtij viti.
E ushtria izraelite tha se forcat e sigurisë u dërguan në një zonë ngjitur me Abu Falah, pas një raportimi për një “konfrontim të dhunshëm”.
Në një deklaratë, ushtria shtoi se gazetarët e huaj ishin të pranishëm dhe një gazetare “ishte plagosur gjatë konfrontimit”.
Ajo tha se rrethanat që lidhen me incidentin do të shqyrtohen.