Italia po përgatitet të ndalojë mbulimin e fytyrës në shkolla dhe të vendosë një kufi për numrin e nxënësve të huaj në çdo klasë, ka bërë të ditur të dielën kryeministrja Giorgia Meloni, ndërsa ka theksuar qëndrimet e saj të djathta gjatë një aktiviteti rinor të organizuar nga partia e saj.
Italia është ndër vendet evropiane më të ekspozuara ndaj ardhjeve të emigrantëve, për shkak të pozicionit të saj në Mesdheun qendror, duke e bërë migracionin një çështje shumë të ndjeshme dhe një sfidë të madhe për qeveritë e njëpasnjëshme.
Integrimi i emigrantëve, veçanërisht i atyre nga vendet me shumicë myslimane, mbetet një çështje e debatueshme në politikën dhe shoqërinë italiane.
Debatet mbi simbolet fetare, integrimin kulturor, rregullat e shtetësisë dhe politikat e emigracionit shpesh polarizojnë opinionin publik.
Meloni nuk ka specifikuar se cili do të jetë numri maksimal i nxënësve të huaj për klasë.
Sipas Fondacionit ISMU, një institucion kërkimor, nxënësit që nuk kanë shtetësi italiane përbëjnë 11.6% të nxënësve të regjistruar në shkollat italiane, pra, gati 12 në çdo 100 nxënës.