Grupi Houthi i mbështetur nga Irani kanë marrë kontrollin e ishullit strategjik Mayun, i njohur edhe si Perim, në hyrje të ngushticës Bab el-Mandeb në Jemen, raporton BBC.
Kontrolli i ishullit u jep Houthive një pozicion të rëndësishëm mbi një prej korridoreve detare më të rëndësishme në botë, përmes të cilit kalojnë anije që lidhin Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe më tej me Oqeanin Indian.
Houthit kanë marrë gjithashtu kontrollin e qytetit bregdetar Dhubab, ndërsa forcat e mbështetura nga Arabia Saudite janë tërhequr nga zona. Ky zhvillim vjen pasi grupi mori nën kontroll edhe portin strategjik të Mokhës në bregdetin e Detit të Kuq.
Bab el-Mandeb është një pikë kyçe për transportin ndërkombëtar dhe furnizimet energjetike. Përparimi i Houthive ka ngritur shqetësime për sigurinë e anijeve dhe mundësinë e ndërprerjeve të mëtejshme të tregtisë detare në rajon. Trafiku përmes kësaj rruge tashmë ka rënë ndjeshëm për shkak të sulmeve të mëparshme ndaj anijeve.
Qeveria jemenase, e mbështetur nga Arabia Saudite, ka paralajmëruar një kundërofensivë për të rimarrë territoret e humbura.
Dy ngushticat, Bab el-Mandeb dhe ajo e Hormuzit, janë prej më të rëndësishmëve për tregtinë globale dhe tregjet e naftës. Të dyja po vazhdojnë të jenë nën presion shkaku i luftërave. Teksa në Hormuz ka rënë ndjeshëm qarkullimi i anijeve, në Bab el-Mandeb vazhdon të qarkullojnë normalisht. Megjithatë, me sulmin e Houthive kjo mund të ndryshojë.