Asnjë vend tjetër nuk i organizon protestat masive si Franca.
Kur francezët kundërshtojnë taksat e larta të karburanteve, veshin jelekë të verdhë dhe dalin në marshime.
Kur fermerët e zemëruar kërkojnë paga më të mira, qindra prej tyre zbresin me traktorë në bulevardin Champs-Elysees. Ndërsa kur punonjësit e muzeve kërkojnë menaxhim më të mirë të turistëve, ata hyjnë në grevë dhe mbyllin Luvrin.
Protestat e zjarrta publike janë po aq franceze sa “La Marseillaise”, himni i vitit 1792 që mishëron në identitetin kombëtar të vendit detyrimin kolektiv për të luftuar tiraninë.
Por këtë muaj, demonstratat më të dhunshme prej vitesh, si dhe masat e ashpra policore, kanë ngritur shqetësime se trazirat po i lënë në hije qindra mijëra demonstrues paqësorë, të cilët marshojnë kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kushteve të këqija në shkolla.
Vetëm të shtunën, të paktën 2.400 persona u arrestuan, pasi protestues të dhunshëm në qytete të ndryshme të Francës u përleshën me policinë, u vunë flakën veturave, sulmuan ndërtesa publike, plaçkitën dyqane dhe përfshinë nga flakët një bashki historike. Protesta të tjera mund të pasojnë.
“Si mund t’ia bëjnë francezët këtë Francës?”, pyeti të dielën presidenti në largim, Emmanuel Macron.
Asgjë nuk e justifikon shkatërrimin. Të gjithë ndiejmë zemërim dhe turp”, shtoi ai.
Megjithatë, kushdo që njeh historinë franceze e di se kultura krenare, e zhurmshme dhe shumëngjyrëshe e protestave në këtë vend, ndonjëherë është shndërruar në dhunë, duke filluar me prerjen e kokave të mbretit Luigji XVI dhe Marie-Antoinette gjatë revolucionit që përmbysi monarkinë në vitin 1789.
Lindja e kulturës së protestës
Historianët thonë se revolucioni shënoi lindjen e traditës moderne franceze, sipas së cilës angazhimi qytetar është një detyrë. Ideja është se votimi nuk është e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshime.
Demonstratat konsiderohen një vlerë themelore, një mënyrë për t’i bërë elitat të dëgjojnë zërin e popullit dhe për të mbrojtur liritë. Momenti kur një fëmijë bëhet aktivist shihet si një rit kalimi që përcillet prej brezash. E drejta për të protestuar mbrohet madje edhe nga Kushtetuta.
“Është një mënyrë për të ndërtuar identitetin kolektiv dhe komunitetin politik”, tha Magali Della Sudda, drejtoreshë kërkimore në fushën e shkencave politike në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore, në Bordo.
Historia e Francës pas revolucionit nuk është një rrëfim i pandërprerë protestash dhe reformash, por një cikël kryengritjesh popullore, represioni, mobilizimi dhe lëshimesh politike. Kjo traditë ka pasur edhe përfundime tragjike. Në vitin 1871, trupat qeveritare shtypën me dhunë Komunën e sapokrijuar të Parisit, ose qeverisjen bashkiake, duke vrarë, sipas raportimeve, mijëra njerëz.
Në disa raste, veprimi kolektiv ka sjellë fitore, si në vitin 1968, kur demonstratat studentore dhe një grevë e përgjithshme e detyruan qeverinë të bënte lëshime, përfshirë rritjen e pagës minimale.
Në historinë më të afërt, lëvizja e “jelekëve të verdhë” apo “gilets jaunes” në frëngjisht, protestoi kundër një rritjeje të propozuar të taksës së karburanteve. Protestat më pas u zgjeruan, duke përfshirë edhe çështje të tjera, si kostoja e jetesës dhe pabarazia. Disa demonstrata në vitet 2018 dhe 2019 u shoqëruan me djegie veturash, plaçkitje dhe përleshje me policinë. Në Francë nuk është e pazakontë që dhuna e ushtruar nga grupe të veçuara të njollosë marshime që përndryshe janë paqësore.
Në mënyrë të ngjashme, protestat studentore të fundjavës u zgjeruan nga çështjet e arsimit te pakënaqësi të tjera dhe u shoqëruan me skena dramatike plaçkitjesh e përleshjesh me policinë. Nuk është e qartë se sa prej personave që plaçkitën dyqanet kishin dalë për t’iu bashkuar protestës së asaj dite, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz, dhe sa prej tyre ishin thjesht oportunistë që shfrytëzuan situatën. Autoritetet janë përgjigjur me shtetrrethime gjatë natës, ndërsa janë bërë thirrje për protesta të tjera më vonë gjatë javës.
Kjo ndodhi në një periudhë të rëndësishme politike, më pak se dy javë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, më 3 nëntor, të cilat do të shërbejnë gjithashtu si një referendum për mandatin e dytë të trazuar të presidentit, Donald Trump. Trumpi dhe republikanët kryesorë po përpiqen t’i shfrytëzojnë politikisht trazirat e përhapura në Francë, duke bërë pretendime të pambështetura se trazirat shoqërore në Evropë shkaktohen nga migrantët myslimanë.
Autoritetet dhe policia nuk i kanë lidhur emigrantët me trazirat në Francë.
Dhuna policore, shkak i mosbesimit
Sipas shkencëtarit politik Fabien Jobard, i cili ka studiuar historinë e protestave dhe të policimit, disa nga faktorët që kanë nxitur protestat gjatë muajit të fundit lidhen me tradita më të vona franceze.
Që nga vitet 1990, vendi ka përjetuar valë të përsëritura të asaj që francezët e quajnë “violences urbaines” – “dhunë urbane”, dhe që amerikanët do ta përkufizonin si trazira, tha Jobard. Shpesh, ato nxiten nga dhuna policore. Në vitin 2005, trazirat u përhapën në mbarë vendin pasi dy adoleshentë humbën jetën teksa po përpiqeshin t’i iknin policisë. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 2023, pasi një polic qëlloi për vdekje një 17-vjeçar gjatë një kontrolli trafiku në periferi të Parisit.
“Për të rinjtë nga periferitë, trazirat janë një nga format tradicionale të shprehjes kolektive”, tha ai.
Kritikët e qeverisë dhe aktivistët për të drejtat e njeriut kanë pretenduar se taktikat e policisë gjatë muajit të fundit kanë qenë të dhunshme në mënyrë të panevojshme. Pjesa më e madhe e kritikave përqendrohet te armët që lëshojnë plumba gome, të njohura në Francë si LBD, dhe granatat trullosëse, të cilat kritikët i fajësojnë për plagosjen e rëndë të protestuesve.
Della Sudda vuri në dukje gjithashtu se afro 8.000 arrestimet e kryera në javët para 17 tetorit janë shumë më të larta se disa dhjetëra personat e ndaluar gjatë një proteste të vitit 1998, ku morën pjesë 500.000 studentë, të cilët kundërshtonin mungesën e mësuesve dhe gjendjen e amortizuar të shkollave.
Edhe ndjenja se zëri i tyre nuk po dëgjohet është pjesë e problemit, thotë ajo. Në vend që t’i dëgjonte protestuesit dhe të negocionte me ta, qeveria, për shembull, u përpoq t’u përgjigjej pakënaqësive të “jelekëve të verdhë” përmes një platforme digjitale të quajtur “Debati i Madh Kombëtar”.
Protestuesit kundër qeverisë e kritikuan ashpër planin e Macronit.
“Si rezultat, mosbesimi po rritet”, shkroi Della Sudda.