Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
DIE WELT

Deutschland plant „Frühverrentung“ – was bedeutet das?

Firewall

Gjermania planifikon të prezantojë një skemë të re të quajtur “pensioni i hershëm” (Frühstartrente), përmes së cilës shteti do të paguajë nga 10 euro në muaj për çdo fëmijë nga mosha gjashtë deri në 18 vjeç.

Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, anëtar i Partisë Socialdemokrate (SPD), e ka prezantuar projektligjin në Bundestag. Sipas tij, synimi është që fëmijëve t’u krijohet një kapital fillestar për pensionin e tyre dhe të sigurohet një e ardhme më e barabartë financiare, pavarësisht gjendjes ekonomike të prindërve.

Sipas përllogaritjeve të Qeverisë gjermane, nëse paratë investohen dhe përfitojnë nga efekti i interesit mbi interesin, deri në moshën 65-vjeçare mund të grumbullohen rreth 53 mijë euro.

Nëse prindërit ose gjyshërit do të kontribuonin me 20 euro shtesë në muaj, shuma e akumuluar deri në pension mund të arrinte në rreth 160 mijë euro.

Skema do t’i kushtonte buxhetit federal gjerman rreth 198 milionë euro në vitin 2027, ndërsa shpenzimet pritet të rriten në rreth 411 milionë euro deri në vitin 2030.

Mbështetja shtetërore do të zbatohej në mënyrë retroaktive nga 1 janari 2026 për të gjithë fëmijët e lindur në vitin 2020 dhe më vonë. Nga viti 2027, skemës do t’i bashkohen automatikisht çdo vit edhe fëmijët që mbushin gjashtë vjeç.

Paratë do të investohen në një llogari të veçantë, ku më pas, pasi të mbushin 18 vjeç, të rriturit do të mund të vazhdojnë të kontribuojnë me paratë e tyre. Kapitali i mbledhur, së bashku me përfitimet nga investimet dhe kontributet shtetërore, do të mund të tërhiqet pasi personi të mbushë 65 vjeç.

Qeveria gjermane planifikon gjithashtu të prezantojë gjatë gjysmës së dytë të këtij viti një strategji për edukimin financiar, në mënyrë që të rinjtë të mësojnë që në moshë të hershme se si funksionojnë investimet në tregjet e kapitalit.

Projektligji ka shkaktuar reagime të ndryshme në Bundestag. CDU/CSU, pjesë e koalicionit qeverisës, e ka mbështetur nismën, duke e cilësuar si një hap drejt krijimit të një kulture më të gjerë të investimeve, të ngjashme me modelet e vendeve skandinave.

Ndërkaq, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe të Gjelbrit kanë shprehur kritika. AfD-ja konsideron se 10 euro në muaj janë të pamjaftueshme dhe ka kërkuar që shuma të jetë 100 euro në muaj që nga lindja e fëmijës, ndërsa të jetë e kufizuar për fëmijët gjermanë që jetojnë në Gjermani. Të Gjelbrit, në anën tjetër, e kanë kritikuar faktin që fëmijët e lindur para vitit 2020 nuk përfshihen në këtë skemë.

Pas debatit të parë në Bundestag, procedura parlamentare pritet të vazhdojë gjatë vjeshtës, me synimin që ligji të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.