Deputetja australiane, Helen Haines, ka pësuar lëndime të rënda pasi është goditur nga një automjet jashtë zyrës së saj në Wangaratta, në shtetin e Viktorias.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, e ka cilësuar ngjarjen si sulm që duket të jetë i qëllimshëm, ndërsa policia po heton rrethanat e incidentit.
“Ky nuk ishte aksident. Me sa duket, ka qenë akt i qëllimshëm", ka thënë Albanese për programin “730” të ABC-së.
Sipas policisë së Viktorias, ngjarja ndodhi rreth orës 15:35 sipas kohës lokale, në rrugën Murphy, ku një automjet i bardhë tip Toyota Land Cruiser goditi 65-vjeçaren pranë zyrës së saj rajonale. Haines u dërgua në spital me lëndime kritike.
Drejtuesi i automjetit, një 43-vjeçar nga Tarrawingee, u arrestua në vendngjarje dhe më pas u vu në dispozicion të policisë për t’u marrë në pyetje. Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe një thikë.
Autoritetet po hetojnë nëse goditja ishte e qëllimshme, ndërsa ende nuk dihet nëse deputetja dhe i dyshuari njiheshin me njëri-tjetrin. Në hetime është përfshirë edhe ekipi i përbashkët kundër terrorizmit, me qëllim përcaktimin e motivit të mundshëm të ngjarjes.
Kryeministri Albanese shprehu shpresën për përmirësimin e gjendjes së deputetes, teksa ka shtuar se autoritetet do të shqyrtojnë të kaluarën e të dyshuarit për të përcaktuar motivet e mundshme.
Albanese bëri thirrje gjithashtu për uljen e tensioneve në politikë, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në demokraci.
Edhe lideri i opozitës australiane, Angus Taylor, shprehu shqetësimin e tij për ngjarjen, duke e cilësuar atë si një ditë tronditëse për vendin.
Ai shprehu mbështetje për Haines, familjen e saj dhe komunitetin ku ajo përfaqëson, duke theksuar se sulmet e dhunshme ndaj përfaqësuesve politikë nuk duhet të normalizohen.