Gazetarëve, zyrtarëve e ndihmësve iu lejua të fluturonin me avionin presidencial gjatë kthimit nga Turqia për në SHBA, pavarësisht kërcënimit të sigurisë, ndërsa Trumpi u largua me urgjencë.
(The Guardian) - Demokratët kërkuan të martën një informim nga Kongresi lidhur me një operacion të jashtëzakonshëm, në të cilin Donald Trumpi u nxor fshehurazi nga avioni tjetër, ndryshe nga ai në të cilin publiku dhe mediat besonin se po udhëtonte. Kritikët tani pyesin pse gazetarët dhe publiku u mashtruan qëllimisht.
Kur inteligjenca amerikane dyshohet se zbuloi muajin e kaluar një kërcënim se Irani po planifikonte ta vriste Trumpin, presidenti u largua nga “Air Force One” përmes një kamioni furnizimi me ushqime, një episod i raportuar fillimisht nga “Washington Post” dhe më pas edhe nga “New York Times”. Ndërsa presidenti thuhet se u nxor fshehurazi nga dera anësore e avionit, më shumë se 100 ndihmës, zyrtarë dhe gazetarë u mbajtën në bord për të fluturuar drejt Britanisë, pa u informuar se kishte një kërcënim ndaj jetës së tyre.
“Duket se ideja ishte: mund ta zvogëlojmë rrezikun për presidentin Trump duke ofruar rreth 100 njerëz që iranianët t’i vrasin në vend të tij”, tha Steven Cash, drejtor ekzekutiv i “Steady State” dhe ish-oficer i inteligjencës së CIA-s, si dhe ish-këshilltar i lartë në degën e inteligjencës të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Trumpi konfirmoi të martën se kishte ndërruar avion fshehurazi, por tha se avioni me të cilin përfundimisht udhëtoi ishte edhe më i ekspozuar ndaj rrezikut sesa “Air Force One”.
“Unë në fakt mendoj se avioni me të cilin fluturova ishte në rrezik më të madh”, u tha Trumpi gazetarëve. “Mendoj se ishte në rrezik më të madh sepse, sipas meje, ai do të ishte avioni që ata do të kishin më shumë gjasa ta godisnin”.
ebenfalls
USA und Iran liefern sich ein Wettrennen um den vermissten Piloten
“Epo, gjithçka varet nga Shërbimi Sekret. Unë thjesht ndjek atë që ata duan të bëj, kështu që veproj sipas udhëzimeve të Shërbimit Sekret dhe ushtrisë”, shtoi Trumpi.
Richard Blumenthal, senator demokrat nga Connecticut, e cilësoi për CNN-in operacionin si “të paprecedentë dhe sureal” dhe “krejtësisht të frikshëm”.
“Duhet të ketë një informim në Kongres, sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë e presidentit. Dua të di se çfarë masash u morën për t’u siguruar që të gjithë pasagjerët në atë ‘Air Force One’, i cili u konsiderua tepër i rrezikshëm për presidentin, të ishin të sigurt. Çfarë masash u morën për të mbrojtur stafin dhe gazetarët në atë avion?”, tha ai.
Si ndodhi gjithçka?
Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar publikisht se presidenti do të fluturonte drejt Britanisë me “Air Force One”, megjithëse me versionin e vjetër të avionit dhe jo me avionin e ri të dhuruar nga Katari. Në realitet, Trumpi hipi në avionin presidencial para kamerave televizive, por vetëm pak minuta më vonë u nxor fshehurazi dhe u transferua në një avion ushtarak C-32A të Forcave Ajrore.
Mashtrimi ishte aq i sofistikuar sa gazetarët që udhëtonin me presidentin, dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë, besonin se Trumpi ishte në bordin e “Air Force One”. Gazetarëve iu kërkua që gjatë fluturimit t’i mbanin të mbyllura perdet e dritareve.
C-32A që transportonte Trumpin fluturoi drejt bazës RAF Mildenhall në Britani dhe mbërriti rreth orës 22:20. “Air Force One” i vjetër, me gazetarët që udhëtonin me presidentin, mbërriti disa minuta më vonë. Më pas, fotografët kapën pamje të Trumpit duke zbritur nga avioni presidencial, me sa duket pasi ishte rikthyer fshehurazi në të.
Trumpi më pas përshëndeti trupat në bazë, përpara se të hipte në Boeing 747 të rinovuar rishtazi, të dhuruar nga Katari, dhe të vazhdonte fluturimin drejt Uashingtonit.
Ned Price, ish-zëvendës i ambasadorit amerikan në OKB, tha se nuk ishte kundër që Shtëpia e Bardhë të merrte masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur presidentin, por administrata aktuale kishte përhapur një “gënjeshtër të hapur” për javë të tëra dhe i kishte kthyer gazetarët në “bashkëpunëtorë të pavetëdijshëm”.
“Kishte një mënyrë për ta bërë këtë pa qenë nevoja të gënjenin. Ata mund të kishin përfshirë grupin e gazetarëve që udhëtonte me presidentin, të cilët, jam i sigurt, do të kishin pranuar me shumë dëshirë të mos raportonin për disa masa sigurie. Pasi gjithçka të kishte përfunduar dhe presidenti të ishte i sigurt në Britani ose të ishte kthyer në bazën ajrore Andrews, ata mund të kishin thënë: ‘Ja çfarë bëmë dhe ja pse e bëmë’”, tha Price, ish-asistent special i presidentit Barack Obama në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Edhe gazetarët ngritën shqetësime.
“Është e qartë se jeta e presidentit është parësore, gjithashtu që edhe më herët janë bërë mashtrime për të mbrojtur jetën e presidentit. Por asnjë nga zyrtarët me të cilët kam folur nuk kishte dëgjuar më parë që një “Air Force One”, plot me staf të Shtëpisë së Bardhë dhe gazetarë, të përdorej si karrem gjatë një kërcënimi të menjëhershëm”, ka shkruar në X Jake Tapper, prezantues në CNN.
Ndërkohë, Jose Zamora, drejtor rajonal për Amerikën i “Committee to Protect Journalists”, tha se administrata kishte përgjegjësi të sigurohej që gazetarët të mos ekspozoheshin ndaj rrezikut të panevojshëm.
“Gazetarët duhet të informohen për kërcënimet e besueshme ndaj sigurisë, në mënyrë që të mund të marrin vendime të informuara për sigurinë e tyre”, tha ai.
“Transparenca duhet të jetë norma për çdo administratë, veçanërisht kur siguria është në rrezik”, shtoi.
Zbulimi i ri hedh dritë mbi një vendim të papritur që kishte ngritur tashmë pikëpyetje për sigurinë e avionit të Katarit. Trumpi e kishte marrë avionin e rinovuar rishtazi në samitin e NATO-s, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar, por papritur njoftoi se, në pjesën e parë të udhëtimit të kthimit, do të përdorte “Air Force One” e vjetër.
Në atë kohë, Trumpi tha se avioni i ri po dërgohej në Mildenhall që trupat amerikane të vendosura atje të mund ta inspektonin.
Më pas, “New York Times” dhe CBS News raportuan se zyrtarët e inteligjencës kishin ngritur shqetësime për një sulm të mundshëm ndaj Trumpit ose avionit të tij, ndërsa konflikti me Iranin po përshkallëzohej.
Gjatë samitit, ushtria amerikane po kryente sulme të mëdha ndaj Iranit, duke shtuar frikën për hakmarrje nga Teherani. Versioni i ri i ngjarjes sugjeron se kërcënimi ishte marrë shumë më seriozisht nga sa ishte kuptuar më parë.
Kërcënimi “i pamundur”
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se kërcënimi e justifikonte atë që ndodhi më pas.
“Nga këndvështrimi iranian, realizimi i një sulmi të mundshëm ndaj avionit presidencial në një distancë kaq të madhe do të ishte jashtëzakonisht i pamundur, do të kërkonte operativë të fshehtë që të ishin shumë pranë dhe të pajisur me sisteme kundërajrore portative”, tha Ankit Panda, studiues i lartë në programin e politikave bërthamore në “Carnegie Endowment for International Peace”.
ebenfalls
Das Schicksal eines Besatzungsmitglieds des im Iran abgestürzten amerikanischen Flugzeugs ist weiterhin unbekannt, die Suche wird fortgesetzt.
“Irani nuk ka raketa tokë-ajër që mund të godisnin një avion që ngrihet nga Ankaraja”, tha Dr. Jeffrey Lewis, studiues i shquar në “Foreign Policy Research Institute”. Sipas tij, Irani teorikisht mund të godiste një avion në pistë me një raketë balistike, “por kjo duket shumë e pamundur”.
James Jeffrey, ish-ambasador i SHBA-së në Turqi dhe ish-zëvendës këshilltar për sigurinë kombëtare gjatë administratës së George W. Bush, i cili tani është studiues i shquar në “Washington Institute”, tha se fshehtësia rreth transferimit të Trumpit në një avion tjetër tregonte se pas kërcënimit fshihej informacion serioz i inteligjencës.
“Ky është një veprim shumë i pazakontë dhe tregon se ata kishin informacion shumë të mirë për një kërcënim dhe se nuk i besonin avionit në të cilin ndodhej ai”, tha Jeffrey, i cili ka përvojë të gjerë në udhëtimet me “Air Force One”.
Jeffrey tha se besonte se informacioni i inteligjencës mund të kishte ardhur nga Izraeli, i cili ka kapacitete të mëdha inteligjence të përqendruara tek Irani.
Ndërsa zyrtarët izraelitë ndonjëherë përpiqen “jo vetëm të informojnë, por edhe të ndikojnë” në politikën amerikane, ai tha se ata nuk do të rrezikonin të sajonin një kërcënim që lidhej me sigurinë e presidentit.
Edhe vetë Trumpi dukej se la të kuptohej për shqetësimet e sigurisë kur gazetarët e pyetën pse u ishte kërkuar t’i mbanin të mbyllura perdet e dritareve.
“Me siguri jeni në një fluturim të rrezikshëm”, tha ai. “Por nëse shkoj unë, vini edhe ju. Apo jo?”
Kur u pyet më vonë nëse kishte pasur një kërcënim të besueshëm iranian ndaj “Air Force One”, Trump u përgjigj: “Unë kam kërcënime gjatë gjithë kohës. Jam numri një në listën e tyre, para jush”.
Megjithatë, operacioni ka ngritur pikëpyetje lidhur me vendimin për të mashtruar trupin e gazetarëve dhe publikun, veçanërisht pasi Shtëpia e Bardhë vazhdoi të ruante versionin zyrtar të ngjarjes.
“Mënyra për ta zbutur kërcënimin përfshinte përdorimin e njerëzve të tjerë që ndodheshin në “Air Force One” si karrem, pa dijeninë e tyre”, tha Cash.
Ai shtoi se ajo që mbetej e paqartë ishte rendi i veprimeve, nëse ekipi i Trumpit priti derisa ai të ishte larguar në mënyrë të sigurt përpara se avioni tjetër të ngrihej, apo nëse avioni u ngrit ndërsa ata nuk e dinin se çfarë po ndodhte.
Nëse zyrtarët thjesht do të kishin njoftuar se Trumpi nuk ndodhej në bord pasi ai të kishte zbritur në mënyrë të sigurt, tha ai, ata do të kishin arritur pjesën më të madhe të asaj që dëshironin pa i lënë njerëzit në errësirë.
“Me të vërtetë duket sikur ata ishin parashikuar të shërbenin si karrem”, shtoi Cash.
Cash iu referua “Intelligence Community Directive 191”, politikës së qeverisë amerikane për “detyrimin për të paralajmëruar”, e cila kërkon që agjencitë e inteligjencës të paralajmërojnë personat që janë objektivi specifik dhe i besueshëm i një kërcënimi për vrasje, plagosje të rëndë ose rrëmbim, përfshirë, sipas tij, gazetarët dhe civilët, jo vetëm zyrtarët.
“Nëse mblidhet informacion i inteligjencës që tregon se një person ose një grup njerëzish janë në rrezik, ata duhet të paralajmërohen”, tha Cash.
“Pyetja është: a u paralajmëruan njerëzit që mbetën në avion? Nëse jo, kjo do të ishte shkelje e ICD 191”, sqaroi ai.
Direktiva, e miratuar nga drejtori i inteligjencës kombëtare në vitin 2015, lejon përjashtime në rastet kur një paralajmërim do të komprometonte burimet, metodat ose operacionet e inteligjencës. Por Cash tha se nuk njihte asnjë përjashtim që lejonte përdorimin e njerëzve si karrem.
Rasti pothuajse i ngjashëm me “Clinton”
Të tjerë e mbrojtën operacionin. Ari Fleischer, ish-sekretar për shtyp i Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së presidentit George W. Bush, tha se, nëse raportimi ishte i saktë, Shërbimi Sekret, Forcat Ajrore dhe Shtëpia e Bardhë meritonin vlerësim për mbrojtjen e presidentit.
“Nëse ka një kërcënim të besueshëm ndaj cilitdo president të SHBA-së, detyra e tyre është ta mbrojnë atë”, shkroi ai në X.
Ky udhëtim i jashtëzakonshëm kujton një operacion të kryer nga Bill Clinton në vitin 2000, kur ish-presidenti fluturoi fshehurazi drejt Pakistanit me një avion privat, ndërsa “Air Force One” u përdor si karrem.
ebenfalls
Russisches Militärflugzeug stürzt auf der Krim ab, 29 Tote
Por, Matthew Hoh, studiues i lartë në “Eisenhower Media Network” dhe veteran i luftës në Irak, e përshkroi incidentin me Trumpin si unik.
“Nëse kërcënimi ishte i besueshëm dhe ata lejuan që “Air Force One” të ngrihej duke menduar se do të rrëzohej ose se do t’i ndodhte diçka tjetër, atëherë ata i konsideruan pilotët, ekuipazhin e avionit, stafin e Shtëpisë së Bardhë dhe gazetarët si njerëz që mund të sakrifikoheshin, të liheshin pas dhe që nuk kishin rëndësi”, tha ai.