Kanë kaluar gati tri dekada qëkur McAndrew pa jetën të shuhej nga fytyrat e tetë vrasësve të dënuar, por secila vdekje vazhdon ta ndjekë. Ai kujton çdo pjesë të rutinës së tmerrshme: fjalët e fundit të të burgosurve, ushqimin e fundit dhe sinjalin e heshtur për vrasjen
Çdo natë, një nga burrat që Ron McAndrew kishte ekzekutuar ulej në qoshet e shtratit të tij dhe e shikonte në heshtje.
“Ata nuk thoshin asgjë. Thjesht uleshin dhe më shikonin”, kujton McAndrew.
Por sytë e tyre dukej sikur pyesnin: Si munde ta bëje një gjë të tillë? Gjithmonë pretendoje se ishe njeri i mirë. Dhe tani po vret njerëz”.
Kanë kaluar gati tri dekada që kur McAndrew pa jetën të shuhej nga fytyrat e tetë vrasësve të dënuar, por secila vdekje vazhdon ta ndjekë. Ai kujton çdo pjesë të rutinës së tmerrshme: fjalët e fundit të të burgosurve, ushqimin e fundit dhe sinjalin e heshtur për vrasjen.
McAndrew ishte drejtor i Florida State Prison, burgut ku Florida ekzekutonte të dënuarit me vdekje, deri në vitin 1998. Ai drejtoi një ekip që ekzekutoi tre të burgosur në karrigen elektrike dhe më pas shkoi në Teksas për të ndihmuar në injeksionet vdekjeprurëse të disa të tjerëve. Ai u bind se njëri prej të burgosurve ishte i pafajshëm; një tjetër ekzekutim shkoi keq dhe koka e të burgosurit mori flakë.
Sot ai pendohet për gjithçka.
“Unë vërtet besoja te dënimi me vdekje. Nuk mund ta besoj që dikur besoja kështu”, thotë ai.
Në moshën 88-vjeçare, McAndrew është shndërruar në një kundërshtar të dënimit me vdekje dhe po përpiqet, me aq kohë sa i ka mbetur, të ndreqë ato që i konsideron tetë gabime.
“Duhej të shikoja veten...Fillon vërtet të mendosh për atë që ke bërë dhe pse e ke bërë”, thotë ai.
Por Florida po ecën në drejtim të kundërt. Që nga fillimi i vitit 2025, shteti ka ekzekutuar më shumë njerëz se çdo shtet tjetër amerikan dhe pothuajse aq sa pjesa tjetër e vendit së bashku. Këtë muaj pritet të kryhet ekzekutimi i 16-të i vitit, ndaj Curtis Beasley, 77 vjeç, i dënuar për vrasjen me goditje të një gruaje në vitin 1995. Avokatët e tij kanë argumentuar se aftësitë e tij njohëse janë përkeqësuar, duke e bërë dënimin me vdekje të papërshtatshëm, por Gjykata Supreme e Floridës e refuzoi apelimin.
Fluksi i ekzekutimeve e mundon McAndrew. Ai nuk e pëlqen fjalën “ekzekutim”.
“Preferoj ta quaj një vrasje politike ceremoniale, të paramenduar. Sepse kështu është”, thotë ai.
Momentet e fundit të të burgosurve
McAndrew u bë drejtor burgu në vitin 1996. Të gjitha ekzekutimet e Floridës zhvilloheshin aty. Në atë kohë ai ishte ambicioz dhe i gatshëm ta kryente detyrën. Oficerët konkurronin për t’iu bashkuar skuadrës së ekzekutimeve, një ekip me profil të lartë që vepronte me urdhër të guvernatorit.
Shteti i jepte 40 dollarë për ushqimin e fundit të të burgosurit dhe, kur nuk mjaftonin, McAndreë paguante nga xhepi. Natën para ekzekutimit mblidhte ekipin për një bisedë.
“Kafet dhe donuts janë nga unë. Por do t’ju kushtojë, sepse dua të di si ndihet secili prej jush”, thoshte ai.
Ai urrente humorin e zi të disa oficerëve. Karrigen elektrike e quanin “Old Sparky”, por McAndrew e ndaloi këtë emër.
“Asgjë nga ajo që po bëjmë nuk është shaka”, u thoshte.
Në mëngjesin e ekzekutimit, ai shkonte te qelia dhe u jepte rojeve shenjë që t’i linin vetëm. Jeta e të burgosurit tashmë matej me minuta. McAndreë ulej pranë tij për bisedën e fundit.
“Jemi vetëm unë dhe ti. Ka diçka që dëshiron të thuash?”, u thoshte.
Ai premtonte se nuk do ta përsëriste kurrë atë që flitej dhe e ka mbajtur premtimin. Por kur pyetet për gjendjen e tyre mendore, hesht. Kujton lotët, ankthin, këmbët që lëviznin pa pushim dhe habinë. Në fund, u hiqte këpucët të burgosurve të prangosur, një çast i fundit intimiteti, dhe më pas i linte vetëm.
“Nuk mund të bërtisnin”
Në dhomën e ekzekutimeve në Florida, secili e dinte detyrën. E para ishte ta përplasnin të burgosurin në karrige.
“Duke e bërë kaq brutale, krijohet një tronditje që e qetëson atë person, të paktën për pak”, shpjegon McAndrew.
Ekipi e lidhte me rripa. Detyra e McAndrew ishte kyçi i këmbës së djathtë. Më pas ai vendoste një mikrofon pranë fytyrës së të burgosurit dhe kërkonte fjalët e fundit, ndërsa 26 dëshmitarë shikonin dhe mbanin shënime.
Një maskë lëkure i vendosej në fytyrë aq fort sa, sipas McAndrew, i thyente automatikisht hundën. Gjaku rridhte poshtë maskës.
“Por ata nuk mund të bërtisnin”, tregon McAndrew.
Pastaj guvernatori telefononte për t’i treguar McAndrew se “Nuk ka pezullim”.
McAndrew i jepte një sinjal të padukshëm ekzekutorit, një burrë me mantel dhe kapuç të zi, i punësuar për 150 dollarë. Sinjali kishte vetëm një kuptim: “Tërhiq levën.”
“Sy për sy, dhëmb për dhëmb”
McAndrew u rrit në Karolinën e Veriut, ku gjyshi i tij, një pastor metodist që e rriti, i mësoi parimin “sy për sy dhe dhëmb për dhëmb”. Kur dëgjonte lajmet për ekzekutime, ky parim i dukej i natyrshëm.
“E merr me vete deri në moshën madhore. Bëhet pjesë e personalitetit tënd”, thotë ai.
Pas dy vjetësh në Forcat Ajrore, katër martesave dhe një dekade duke shitur parfume jashtë vendit, McAndrew humbi punën e shitësit në vitet 1970. Një mik i tha se një burg në Florida kishte nevojë për punëtorë. Ai fillimisht qeshi duke thënë: “Mendon se do të punoja në burg?”.
Përfundimisht punoi në disa burgje, duke u ngjitur nga oficer në rreshter, toger dhe major. Kur iu ofrua posti i drejtorit të burgut pranë Starke, ai u pyet nëse do ta kishte problem të dërgonte të burgosur drejt vdekjes.
“Jo, zotëri. Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb”, u përgjigj.
Por gjërat ndryshuan. Ai filloi të mendonte vazhdimisht për jetën e të burgosurve dhe merrte dosjet e tyre në shtëpi. U shqetësua veçanërisht për Leo Jones, i dënuar për vrasjen e një polici në Jacksonville. Jones këmbëngulte se ishte i pafajshëm dhe se rrëfimi i tij ishte marrë me detyrim.
“Ky hetim ishte jashtëzakonisht i dobët”, thotë McAndrew.
Kur ia tha eprorit, ai pretendon se iu përgjigj: “Ron, qëndro dreqin larg atyre dosjeve. Nuk është puna jote”.
Jones u ekzekutua në vitin 1998.
Në atë periudhë McAndrew mezi flinte. Kur flinte, të dënuarit shfaqeshin përsëri në mendjen e tij dhe uleshin në heshtje mbi dyshekun e tij. Deri në ekzekutimin e tretë, ai pinte shumë çdo natë për të mpirë dhimbjen dhe mendoi edhe për vetëvrasje. Ai thotë se, po të mos ishte gruaja e tij tij Lynne, mund ta kishte bërë edhe këtë.
Një ekzekutim që shkoi keq
Në mars 1997, i burgosuri Pedro Medina u lidh në karrigen elektrike.
“Jam ende i pafajshëm”, tha ai në mikrofon. Medina, i dënuar për një vrasje me thikë në Orlando, kishte këmbëngulur gjithmonë se nuk e kishte kryer krimin.
Maska iu vendos në fytyrë dhe McAndrew dha sinjalin. “Fillimisht pati një krismë”, kujton ai. Pastaj shpërtheu një flakë e madhe. Koka e Medinës mori flakë dhe dhoma u mbush me tym të zi.
Elektricisti e pyeti McAndrew: “Vazhdojmë?”. “Në atë pikë nuk mund ta ndaloja”, thotë ai. “Thashë: ‘Po. Vazhdo’”. Kjo është fjala për të cilën pendohet më shumë.
Era e mishit të djegur ishte e tmerrshme dhe u ngjit deri te blloku i qelive.
“Të gjithë të burgosurit e tjerë në radhën e vdekjes mund ta nuhasnin Pedro Medinën duke u djegur për vdekje”, thotë ai.
Një autopsi më vonë arriti në përfundimin se Medina kishte vdekur pa dhimbje, por McAndrew e kundërshton. “Pjesë të kokës së tij po binin. Ne, në fakt, e dogjëm për vdekje”, thotë ai.
Për të, ajo ishte dita më e keqe e jetës. Për vite u përpoq ta harronte përmes alkoolit dhe më pas terapisë. Sot thotë se nuk dëshiron ta harrojë. “Dua ta kujtoj”.
McAndrew kundër shtetit të Floridës
Pas ekzekutimit të Medinës, McAndrew u dërgua në Teksas për të studiuar një metodë të re: injeksionin vdekjeprurës. Metoda u bë mënyra kryesore e ekzekutimit në shumicën e shteteve amerikane, përfshirë Floridën. Mbështetësit e saj thonë se është më njerëzore, por McAndreë nuk pajtohet.
Ai thotë se ishte pjesë e ekipit në Teksas që vrau pesë burra me injeksion.
“Nëse do të ishte humane, nuk do t’u duheshin tetë rripa për ta mbajtur dikë të lidhur”, thotë ai.
Kur doli në pension në vitin 2002, McAndrew ishte një njeri i thyer. Pas disa muajsh të zhytur në pendesa, vendosi të përpiqej të ndreqte dëmin.
Ai ka udhëtuar nëpër SHBA për të folur kundër dënimit me vdekje dhe prej vitesh u ka ofruar ekspertizën e tij avokatëve që apelojnë dënimet e të burgosurve.
“Kam qenë mjaft i suksesshëm në ndihmën ndaj të burgosurve për të dalë nga radhët e vdekjes”, thotë ai.
Një i burgosur në radhën e vdekjes në Florida i dërgoi së fundmi një letër, duke pretenduar se prova të reja mund ta shpallnin të pafajshëm. Ai i kërkoi McAndrew të dëshmonte në mbështetje të apelimit. McAndrew pranoi ta shqyrtonte.
Ai ka krijuar marrëdhënie të pazakonta dhe është i vetmi republikan në të tetëdhjetat në shumicën e aktiviteteve kundër dënimit me vdekje ku merr pjesë.
Në moshën 88-vjeçare, ai nuk e di sa gjatë mund ta vazhdojë këtë punë. Por mendon se ajo është më e rëndësishme se kurrë.
Sondazhet e fundit të Gallup tregojnë se 52% e amerikanëve tani e mbështesin dënimin me vdekje, krahasuar me 60% një dekadë më parë dhe 71% kur McAndrew ishte drejtor burgu. Në 49 shtete, prokurorët e kërkojnë më rrallë dhe burgjet e zbatojnë më rrallë se disa dekada më parë.
Florida, megjithatë, po i reziston kësaj tendence. Nga viti 2020 deri në 2024, shteti ekzekutoi shtatë persona. Në vitin 2025 ekzekutoi 19 të burgosur dhe mund të arrijë të njëjtin numër këtë vit.
“Kam turp për këtë fakt”, thotë McAndrew.
Ai thotë se i ka shkruar disa herë zyrës së guvernatorit Ron DeSantis, duke i kërkuar të ndalojë nënshkrimin e urdhrave të ekzekutimit, por nuk ka marrë përgjigje. Zëdhënësi i DeSantis, Alex Lanfranconi, tha për CNN se “Këshilla ime për ata që kërkojnë t’i shmangen dënimit me vdekje në Florida do të ishte të mos vrisnin njerëz”.
Lajmet për ekzekutimet vazhdojnë të arrijnë te McAndrew.
“Nuk kam mbaruar ende”, këmbëngul ai.
Kur të vijë koha për jetën e tij, ai duket i përgatitur. McAndrew është katolik dhe thotë se beson në jetën pas vdekjes.
Në fund të bisedës, një stuhi shpërthen mbi shtëpinë e tij. Ai ngre vetullat drejt qiellit të trazuar dhe thotë: “Atje ka shumë njerëz që po më presin”.