Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
DIE WELT

21 Tote beim Einsturz eines kriegsbeschädigten Gebäudes in Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 21 persona kanë vdekur, përfshirë tetë fëmijë, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi një ndërtesë e dëmtuar nga lufta është shembur gjatë natës në Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur ekipet lokale të shpëtimit dhe mjekët.

Dëshmitarët i kanë thënë BBC-së se ndërtesa gjashtëkatëshe në zonën Tal al-Haëa të qytetit të Gazës kishte mbetur e anuar në mënyrë të rrezikshme në njërën anë, pas një sulmi izraelit më shumë se një vit më parë. Ata kanë thënë se brenda saj po jetonin familje të zhvendosura, sepse nuk kishin zgjidhje tjetër.

Agjencitë e OKB-së dhe një ekip egjiptian i janë bashkuar kërkimit për të mbijetuar, por zyrtarët thonë se operacioni po zhvillohet ngadalë për shkak të mungesës së pajisjeve.

Në përpjekjet fillestare të shpëtimit, pjesëtarët e agjencisë së Mbrojtjes Civile, e drejtuar nga Hamasi, u detyruan të përdornin duart e tyre.

“Ende po dëgjojmë zëra nën rrënoja, kështu që ka ende shpresë për të gjetur njerëz”, ka thënë Raed al-Dahshan, drejtori i Mbrojtjes Civile në qytetin e Gazës.

“Mundësitë e kufizuara për strehim i detyruan banorët të zhvendoseshin në këtë ndërtesë, duke besuar se ishte e sigurt. Megjithatë, në një moment ajo u shemb plotësisht, duke rënë tragjikisht mbi njerëzit teksa flinin”, ka shtuar ai.

Banorët kanë thënë se rreth 10 familje kishin jetuar në ndërtesë, pavarësisht paralajmërimeve se ajo ishte e pasigurt.

Një grua që jetonte në një tendë aty pranë, Umm Mohammed Bakrun, ka thënë se po fliste me djalin e saj kur ndërtesa u shemb papritur në orët e para të së mërkurës.

“U ndje si një tërmet. Kishte një zhurmë të madhe dhe nuk mund të qëndroja në këmbë. Gurët binin mbi ne dhe kur pashë jashtë, pashë shumë pluhur”, i ka thënë ajo BBC-së. 

Drejtuesi i zyrës së Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Gazë, Alessandro Mrakiq, u ka thënë gazetarëve në vendngjarje se besohej se nga 70 deri në 100 persona ishin bllokuar nën rrënoja.

“Situata, siç e shihni, është tragjike, sepse nuk kemi pajisjet dhe makineritë e nevojshme. Në fakt, ka njerëz që po gërmojnë me duart e tyre”, ka thënë ai.

Mrakiq ka paralajmëruar gjithashtu se rreth 400 ndërtesa të tjera të dëmtuara nga lufta në të gjithë Gazën rrezikojnë të shemben së shpejti, veçanërisht me afrimin e dimrit.

Ai u ka bërë gjithashtu thirrje autoriteteve izraelite të miratojnë dërgimin në Gazë të makinerive të rënda për operacionet e shpëtimit, si dhe të tendave, mbulesave të papërshkueshme nga uji dhe artikujve të tjerë jo ushqimorë për personat e zhvendosur, përpara reshjeve të dimrit.

Izraeli thotë se kufizimet e tij synojnë të parandalojnë që pajisjet të bien në duart e grupeve të armatosura palestineze, të cilat mund t’i përdorin ato edhe për qëllime ushtarake.

Sipas OKB-së, rreth 80% e të gjitha strukturave në Gazë janë shkatërruar ose dëmtuar gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Më shumë se 1.9 milionë njerëz, rreth 90% e popullsisë së territorit, janë zhvendosur, shumë prej tyre disa herë, ndërsa 1.2 milionë prej tyre aktualisht jetojnë në tenda ose strehimore të improvizuara, thotë OKB-ja.