Golden Eagle Ylli e ka shënuar fitoren e parë këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ylli të dielën mbrëma e mposhti Sigal Prishtinën në Pallatin e Rinisë me rezultatin 88:82. Ndeshja i takoi xhiros së tretë.
Ylli e nisi më mirë ndeshjen duke e fituar çerekun e parë me shifrat 23:18.
Çereku i dytë u mbyll baras 25:25. Ylli shkoi në pushim me pesë pikë epërsi, 48:43.
Prishtina u kthye duke e fituar çerekun e tretë 22:19, por Ylli nuk lejoi befasi dhe e fitoi edhe dhjetëminutëshin e fundit me shifrat 21:17.
Për Prishtinën ishte humbja e parë. Ka edhe një fitore. Ndërkohë Ylli i ka humbur dy ndeshjet e para.
Më i dalluari tek Ylli ishte Connor Withers me 25 pikë, dhjetë kërcime dhe tri asistime.
U veçua edhe Lis Shoshi me 14 pikë dhe 12 kërcime.
Ndërkohë lojë të mirë te Prishtina pati Malcolm Armstead me 19 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime.