Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Basketball

Schiedsrichter nach Spiel in Pristina angegriffen, FBK reagiert

Sigal Prishtina und Golden Eagle Ylli

Arbitrat e ndeshjes së basketbollit mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit janë sulmuar fizikisht gjatë daljes nga palestra e Pallatit të Rinisë në kryeqytet.

Policia ka konfirmuar incidentin, ndërsa Federata e Basketbollit e Kosovës lëshoi të hënën një reagim.

Ndeshjen e Superligës së Kosovës në basketboll e fitoi Ylli i Suharekës me rezultatin 88:82. Ndeshjen e drejtuan Amar Gjekoviq, Ngadhnjim Shabani e Arian Thaçi. Bashkë me ta ishte edhe delegati Enes Maxhuni, po ashtu i sulmuar.

“Është raportuar se disa persona të dyshuar, meshkuj kosovarë, kanë sulmuar fizikisht disa persona të tjerë, të cilët si pasojë kanë pësuar lëndime trupore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës për incidentin.

Shoqata e Gjyqtarëve dërgoi reagim në Federatën e Basketbollit e Kosovës. Dhe FBK-ja të hënën pasdite doli me një reagim.

“FBK-ja dënon fuqishëm incidentin e raportuar pas ndeshjes KB Sigal Prishtina – KB Golden Eagle Ylli. Federata e Basketbollit e Kosovës e ka pranuar me shqetësim të thellë raportimin lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur më 4 tetor 2026, pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit në Prishtinë, ku është raportuar se gjyqtarët e ndeshjes janë përballur me ofendime, kërcënime dhe sulm fizik gjatë largimit nga palestra. FBK dënon fuqishëm çdo formë të dhunës, kërcënimit, frikësimit apo presionit ndaj gjyqtarëve, zyrtarëve të ndeshjeve dhe të gjithë pjesëmarrësve në basketboll”, shkruan në reagimin e Federatës. 

Dukshëm më konkret dhe i ashpër është reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës. 

“Sipas deklaratave të gjyqtarëve Arian Thaçi, Amar Gjekoviq dhe Ngadhnjim Shabani, si dhe të delegatit të ndeshjes Enes Maxhuni, zyrtarët e ndeshjes fillimisht janë përballur me ofendime dhe kërcënime, e më pas me sulm fizik gjatë largimit nga palestra. Sulmi është kryer nga një grup prej rreth 10–15 personash, të cilin, sipas gjyqtarëve, e ka kryesuar një person me nofkën ‘Cikaqi’, i cili është i përfshirë në aktivitetet e KB Sigal Prishtina. Gjyqtarët kanë pësuar lëndime në qafë, shpinë, kokë dhe gjunjë”, shkruan në reagimin që Shoqata e ka dërguar në FBK.

Sipas shoqatës së gjyqtarëve, Policia u njoftua menjëherë dhe gjyqtarët dhanë deklarata. Gjyqtarët po ashtu morën trajtim mjekësor. 

“Ky nuk është sulm vetëm ndaj zyrtarëve të kësaj ndeshjeje, por ndaj gjithë komunitetit të gjyqtarëve, ndaj integritetit të garave dhe ndaj basketbollit të Kosovës. Mund të kontestohet një vendim, mund të ketë pakënaqësi dhe kritika sportive, por dhuna nuk ka vend në sport”, shkruan tutje shoqata e gjyqtarëve. 

Arbitrat kanë paraqitur vërejtjet e tyre për atë se si është organizuar siguria për ta në ndeshje. 

“SHGJBK nuk e akuzon klubin në tërësi. Kërkojmë që të përcaktohet përgjegjësia individuale dhe institucionale për këtë incident, sipas procedurave përkatëse. Në vitin 2025, pas presioneve të vazhdueshme ndaj gjyqtarit Elldin Uglari, zyrtarët e klubit Blerand Stavileci dhe Luan Maloku u përfshinë në një incident ku u tentua sulm ndaj tij. Për atë rast është shqiptuar vetëm vërejtje. Përsëritja e incidenteve tregon se masat e deritanishme nuk kanë qenë parandaluese”.

Shoqata e Arbitrave doli me disa kërkesa për Federatën dhe Policinë, ndërsa u ka ofruar përkrahje të plotë të sulmuarve.

Ylli i Suharekës doli me reagim për incidentin.

“KB Golden Eagle Ylli shpreh shqetësimin dhe dënon fuqishëm çdo akt dhune ndaj gjyqtarëve dhe çdo pjesëmarrësi në basketbollin kosovar. Pavarësisht rivalitetit dhe emocioneve që sjell sporti, dhuna nuk mund dhe nuk duhet të jetë asnjëherë pjesë e tij”, shkruan në një postim të klubit suharekas.