Trepça është kthyer te fitorja pas katër humbjeve rresht, në Superkupën e Kosovës, Superligë dhe në “FIBA Europe Cup”.
Kampionia e Kosovës në basketboll të shtunën pasdite fitoi thellë 94:70 ndaj Vëllaznimit, në xhiron e katërt të elitës së basketbollit kosovar.
Ndonëse e humbi çerekun e parë 24:21, Trepça u kthye fuqishëm në periudhën e dytë, të cilën e fitoi 30:19.
Në pjesën e dytë hyri me 20 pikë epërsi, të cilën e ruajti deri në fund për fitoren me 24 pikë dallim.
Jacori Payne i pati statistikat më të mira te Trepça me 16 pikë, pesë asistime e dy kërcime. Drilon Hajrizi kontribuoi në fitore me 11 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime.
Kentrell Pullian i shënoi 18 pikë, ndërsa i pati edhe tetë asistime e pesë kërcime te klubi gjakovar, por nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën.
Trepça tani ka gjashtë pikë, pas dy fitoreve e dy humbjeve. Vëllaznimi e pësoi disfatën e tretë, ndërsa e ka edhe një fitore. I ka pesë pikë.