Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Basketball

Covic bestätigt, dass Serbien sich aufgrund des Kosovo-Konflikts vom 3x3-Basketball zurückgezogen hat.

Serbien

Sportistët e Kosovës janë përballur në disa raste me sportistët e Serbisë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Është dashur të përballen edhe në basketbollin tre kundër tre në konkurrencë të meshkujve, por kjo nuk ndodhi.

Ekipi i Serbisë në basketbollin 3x3 nuk u paraqit në Lojëra Mesdhetare dhe tashmë është e qartë se kjo u bë për të shmangur përballjen me Kosovën. Këtë e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës së Basketbollit të Serbisë, Nebojsha Çoviq. 

Çoviq është i njohur edhe nga politika dhe qëndrimet anti-Kosovë.

Në basketbollin 3x3, Kosova e Serbia ishin në të njëjtin grup, së bashku me Turqinë e Portugalinë. Por serbët nuk garuan, ndërsa tutje nga grupi avancuan Turqia e Portugalia. Kosova i humbi të dy ndeshjet.

Sipas Çoviqit, Kosova e Serbia nuk është dashur të jenë në të njëjtin grup.

“Që më 2 qershor si Federatë e Basketbollit e Serbisë, si Ministri e Sportit dhe Komitet Olimpik kemi paralajmëruar që situata në Lojërat Mesdhetare nuk është në përputhje me qëndrimet e FIBA-s. FIBA ka një vendim që kur vjen te mundësia që të takohen Serbia dhe e ashtuquajtura Kosovë, të shkohet në short të dirigjuar. Kjo nuk është bërë, ndonëse e ka bërë dikush nga FIBA. Tani mund të krijoni teori konspiracioni se a ka hyrë ky lob apo ai. Ndodhi ashtu si ndodhi”, ka thënë Nebojsha Çoviq në një program në “Radio Beogradi”.

“Pse do të luanin kur e dimë se si janë raportet dhe se si është. Federata e Basketbollit e Serbisë nuk e njeh të ashtuquajturën Kosovë. Tani prej kësaj duan të bëjnë politikë, një lloj federate e tyre komenton në këtë apo atë mënyrë. Nuk do të flisja për gjitha këto gjëra dhe t’u japim rëndësi”, ka shtuar Çoviq.

Në Lojërat Mesdhetare, Kosova është përballur me Serbinë në taekwondo, pingpong dhe xhudo. Madje në pingpong është përballur në konkurrencë ekipore, përkatësisht në çiftet miks.

Në basketbollin ndërkombëtar, pa llogaritur këtu Lojërat Mesdhetare që është ngjarje shumësportëshe, nuk lejohen përballjet Kosovë – Serbi. Njëjtë është edhe në futboll e hendboll. Sa herë që mundësia e përballjes ekziston, bëhen modifikime në short. Përballjet Kosovë – Serbi dhe të klubeve nga të dy vendet, evitohen për shkaqe sigurie.

Në basketbollin 3x3, Kosova nuk la gjurmë sa u takon rezultateve. I humbi të gjitha ndeshjet në të dy konkurrencat. Rrjedhimisht buja më e madhe u bë për një ndeshje të pazhvilluar.