Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Auto

BMW weigert sich, AfD-Politiker ein Auto zu überlassen

BMW

Prodhuesi gjerman i veturave BMW ka tërhequr ofertën për dhënien e veturës për kryetarin e ri të Parlamentit të landit të Saksonisë-Anhaltit, Tobias Rausch, nga partia e djathtës ekstreme AfD.

Administrata e parlamentit konfirmoi për gazetën gjermane Die Zeit se selia qendrore e BMW-së në Munih e tërhoqi ofertën më 6 tetor. Si pasojë, Rausch mund të mbetet pa veturë zyrtare nëse deri në skadimin e kontratës aktuale nuk gjendet një alternativë.

BMW-ja nuk pranoi të komentonte arsyet e tërheqjes së ofertës. 

Rasti vjen në një kohë kur drejtori i BMW-së, Milan Nedeljkoviq, 57 vjeç, ka folur publikisht për zhvillimet politike në Gjermani. Në një intervistë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai deklaroi se populizmi i djathtë dhe nacionalizmi janë “helm” për një ekonomi të hapur, e cila varet nga tregtia ndërkombëtare. Sipas tij, ata që promovojnë mbylljen dhe izolimin nuk veprojnë në interes të ekonomisë gjermane.

Kryetari i Parlamentit të Saksonisë-Anhaltit ka në dispozicion një veturë zyrtare me shofer. Aktualisht, Rausch po përdor veturën e paraardhësit të tij nga Unioni Demokristian (CDU), një BMW e Serisë 7.

Megjithatë, vetura është në përdorim prej nëntë muajsh dhe ka përshkuar më shumë se 50 mijë kilometra. Kontrata e qirasë skadon në nëntor, çka do të thotë se Rausch mund të mbetet pa veturë zyrtare nëse deri atëherë parlamenti nuk siguron një tjetër.

Sipas administratës së parlamentit, oferta e tërhequr nga BMW-ja ishte e vetmja e paraqitur nga prodhuesit e mëdhenj gjermanë të veturave. 

Veturat e prodhuesve gjermanë përdoren tradicionalisht nga parlamentet dhe institucionet shtetërore të vendit. Për kompanitë, kontrata të tilla përbëjnë jo vetëm çështje prestigji, por edhe një formë mbështetjeje për ekonominë vendore.