Vëllai i Jakup Krasniqit, Avdyl Krasniqi, ka thënë se familja po e pret prej kohësh vendimin e Gjykatës dhe shpreson që sot të marrë lajm të mirë.
Para mediave disa minuta para se të fillojë seanca ku do të shpallet aktgjykimi, ai ka thënë se besimi në pafajësinë e të akuzuarve vazhdon të jetë i fortë, pavarësisht pritjes së gjatë të vendimit.
“Vendimin jemi duke e pritur bukur gjatë, po besoj se sot i ka ardhur fundi dhe e dëgjojmë një lajm të mirë. Obligimin jetësor me kohë e kanë kryer për të mirën e Kosovës dhe të popullit të saj. Besimi në pafajësinë e tyre vazhdon të jetë më i madh sesa dobësitë që mund të jenë ndonjëherë”, ka thënë ai.
Duke folur për procesin gjyqësor, Avdyl Krasniqi ka thënë se pret që gjykata të bazohet në prova dhe fakte gjatë marrjes së vendimit.
“Dëshmitarët kanë qenë joseriozë, një pjesë prej tyre, një pjesë e të dhënave ishin nga Serbia dhe të gjitha këto kanë ndikuar që prokuroria të ngrejë akuza të rënda... E njohim historinë tonë si është zhvilluar me shekuj. Evropa shpeshherë ka bërë veprime jo të duhura e në dëm të popullit shqiptar, shpresoj që kësaj radhe të vendoset më drejt”, u shpreh ai.
Në pritje të vendimit, Krasniqi foli edhe për dhimbjen familjare pas vdekjes së njërit prej vëllezërve dhe mungesën e Jakup Krasniqit në varrim.
“Na ka vdekur një vëlla, mungesa e Jakupit edhe në varrim e në shprehje të ngushëllimeve ka qenë e madhe, por e gjithë Kosova ka qenë për ngushëllime dhe na e kanë lehtësuar dhimbjen”, ka deklaruar ai.