Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Die Schüler in Lismir haben seit zwei Wochen keinen Unterricht mehr besucht.

"Lismiri"-Schule

Nxënësit e shkollës “Lismiri” në fshatin Lismir të Fushë-Kosovës kanë humbur edhe javën e dytë të vitit të ri shkollor. Shkak janë bërë kushtet e papërshtatshme në objektin e shkollës si dhe kundërshtimi i prindërve që ata të zhvendosen në gjimnazin “Hivzi Sulejmani”, në Fushë-Kosovë. Pas këtyre kundërshtimeve rinovimi i shkollës ka nisur ndërsa nxënësit pritet t’u kthehen bankave të hënën

Mbi 130 nxënës të shkollës fillore “Lismiri” në fshatin Lismir të Fushë-Kosovës, as në javën e dytë të vitit të ri shkollor nuk e kanë filluar procesin mësimor, pasi në qershor të këtij viti, Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka konstatuar se shkolla nuk ka kushte për mësim.

Por, vetëm në javën e dytë të shtatorit ka filluar rinovimi dhe përgatitjet për nisjen e mësimit.

Komuna ka planifikuar që nxënësit t’i zhvendosë në gjimnazin “Hivzi Sulejmani”, por prindërit kanë refuzuar një gjë të tillë, duke kërkuar që nxënësit të mbesin në fshat.

Drejtori i kësaj shkolle, Uran Tërnava, ka thënë se përgatitjet janë duke vazhduar në katin e parë dhe se procesi mësimor me shumë gjasa nis të hënën, nëse Inspektorati Sanitar konstaton se janë përmbushur kushtet për mësim.

Sipas tij, ditët e humbura do të kompensohen gjatë vikendeve.

“Inspektorati Sanitar vjen nesër në objektin e shkollës. Nëse jepet pëlqimi dhe merret fleta prej tyre, fillon procesi mësimor të hënën. Ditët e humbura do të zëvendësohen gjatë të shtunave. Mirëpo, do të fillojmë fillimisht procesin dhe pastaj do të dalë plani i zëvendësimit të orëve edhe ditëve të punës, pa asnjë telashe”, ka thënë Tërnava.

Procesi, sipas tij, do të zhvillohet me dy ndërrime. Niveli 1–5 do të vijojë mësimin në ndërrimin e parë, ndërsa niveli 6–9 në të dytin.

E drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Sabri Xhigoli, ka thënë se pasi objekti i vjetër po rinovohet përkohësisht, komuna ende është në proces të gjetjes së një lokacioni të përshtatshëm, për ndërtimin e objektit të ri të shkollës.

Por ai ka theksuar se problem mbetet numri i vogël i nxënësve në këtë shkollë.

“Për objektin e ri jemi në hulumtim të parcelave. Gjasat janë... gjasat janë... na duhet një bashkëpunim... një bashkëpunim... diku ku të gjejmë me kushte më të mira. Po të gjendet një parcelë në mes lumit edhe hekurudhës, qëndrueshmëria e numrit të nxënësve është më e lartë. Po që domosdoshmërisht, nëse na imponohet të ndërtojmë në pjesën tjetër të fshatit, është problem qëndrueshmëria, sepse ashtu këtu aty është në rënie numri i banorëve. Imagjino, 4–5 fëmijë në klasë të parë”, ka thënë Xhigoli.

Sipas Xhigolit, në shkollat e tjera të Fushë-Kosovës probleme të tilla nuk ka.

KOHA më 1 shtator ka raportuar se në këtë shkollë ishte planifikuar të fillonte mësimi në objektin e vjetër dhe të parinovuar, pavarësisht raportit të Inspektoratit. Por, prindërit po atë ditë kanë vendosur që mësimi të bojkotohet nga fëmijët e tyre.