Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Selimi als Informant des BIA, Informationen über die UÇK und religiöse Gruppen

Hysri Selimi

Detajet e bashkëpunimit të Hysri Selimit me BIA-n serbe janë bërë të ditura në aktgjykimin e plotë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Selimi u dënua me 6 vjet burgim. Gjykata përmend takime me zyrtarë të këtij shërbimi, komunikimet përmes Viberit dhe informacionet që, sipas saj, Selimi ua ka përcjellë për persona dhe aktivitete në Kosovë.

Bashkëpunimi për një periudhë të gjatë me shërbimin sekret serb BIA, gatishmëria për të shkuar deri në Siri me kërkesë të këtij shërbimi, janë disa nga arsyet që Gjykata i ka vlerësuar si rrethana rënduese ndaj Hysri Selimit, i dënuar për veprën penale “Spiunazhi”.

Në aktgjykimin e plotë të Themelores, me të cilin Selimi është dënuar me 6 vjet burgim, thuhet se i pandehuri me vetëdije të plotë ka bashkëpunuar me BIA-n serbe, me qëllim që t’u ndihmojë duke u dhënë informata sipas kërkesave të tyre.

“Vetë fakti i hyrjes në shërbim informativ si akt, paraqet vetëm dashje të thjeshtë, mirëpo kur merret parasysh fakti se i pandehuri ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë më këtë shërbim dhe se gjatë kësaj kohëzgjatje ka pasur mundësi të pendohet dhe të tërhiqet nga ky aktivitet, fakti se në vitin 2012 është larguar dhe ka vendosur prapë të rikthehet si dhe fakti se i njëjti sipas kërkesës së BIA-s ka marrë edhe rrezikun që të shkojë në Siri dhe të bëhet pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, tregon një shkallë të lartë të dashjes dhe përkushtimit për të kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor”, thuhet në aktgjykimin e siguruar nga KOHA.

Sipas Gjykatës, nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor u vërtetua se Selimi e ka kryer veprën penale “Spiunazhi”.

Në aktgjykim thuhet se i pandehuri, si i rekretuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, në vazhdimësi e ka ndihmuar punën e këtij shërbimi në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve për veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së.

“Vërtetohet se i njëjti ka mbledhur informata nga tereni dhe të dhënat e hapura në internet, i ka grumbulluar të njëjtat dhe i ka dërguar zyrtarëve të BIA-s, dhe atë informatat në lidhje me UÇK-në, vrasjet gjatë luftës, për personat qe kanë marr pjesë në luftë në Siri, vendet ku kanë luftuar dhe nga kush janë udhëhequr, informatat të detajuara në lidhje me personat e rikthyer nga Siria dhe familjaret e tyre, informata në lidhje me grupet radikale fetare në Kosovë, për financimin e tyre, organizimin, se kush i udhëheq të njëjtat dhe kush dhe ku i mban mbledhjet për këto grupe”, thuhet në aktgjykim.

Sipas gjykatës, gjatë provave të elaboruara është vërtetur se i pandehuri ka punuar për interes të shërbimit të huaj BIA.

“...Me anë të raportit për masat e veçanta hetimore vërtetohet se i njëjti me datë 18.11.2024 është nisur nga Prishtina, drejtë Gjilanit pastaj Kamenicës dhe përmes pikë kalimit kufitar Dheu i Bardhë ka hyrë në territorin e Serbisë, ku në B. është takuar me dy persona, të cilët e kanë marrë më veturë, e nga aty kanë vazhduar për në qytetin e Vrajës, ku takimin e kanë zhvilluar në restaurantin “...”, me ç’rast ky takim u monitorua dhe u fotografua përmes masave të veçanta hetimore, nga të cilat fotografi shihet i pandehuri Hysri Selimi me dy persona, zyrtar të BIA-s serbe, e që njeri nga ta është personi me emrin I.B, i cili është shef kundër terrorizmit për të ashtuquajturën “Serbi Jugore” dhe përgjegjës për një pjesë të Kosovës, ne qendrën e BIA-s në V.” thuhet në aktgjykim.

Sipas dokumentit, në provat e siguruara përmes ekzaminimit të telefonave të të pandehurit, tregojnë se ai ka mbajtur shënime në dorëshkrim, në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit që ka arritur me BIA-n.

“Në disa raste edhe ka transkriptuar përmbajtjen e komunikimit me personin I.B, në të cilin transkript shihet se zyrtari i BIA-së kërkon informata konkrete për persona të caktuar, për çka i pandehuri i përgjigjet në mënyrë të detajuar”, thuhet në aktgjykim.

Sipas aktgjykimit, i pandehuri Selimi e ka njoftuar zyrtarin e BIA-së me nofkën “A”, edhe për tubimet ku ligjërohet për fenë islame dhe për personat që i mbajnë këto ligjerata.

“I dyshuari Hysri Selimi ka shfrytëzuar këtë telefon për komunikime me zyrtarin e BIA-së me nofkën “A.” dhe komunikimin e ka bere përmes rrjetit social Viber. Nga ky komunikim kuptohet qartë se i dyshuari Hysri Selimi me veprimet e tij ka mbledhur informacione në fushën e terrorizimit, duke i dërguar materiale të nxjerra nga rrjetet sociale tek zyrtaret e BIA-së, gjithashtu duke bërë edhe fotografi neper xhami të ndryshme në Kosovë”, thuhet në aktgjykim.

Në qershor të këtij viti, Ish-anëtari i ISIS-it, Hysri Selimi, është dënuar me gjashtë vjet burgim me akuzën për spiunazh në favor të Serbisë.

Më herët ai qe dënuar edhe për pjesëmarrje në organizatën terroriste “Shteti Islamik”.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, thuhet se si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.