Miratimi i 65 ligjeve brenda 80 ditësh është synimi i Qeverisë për pjesën e mbetur të këtij viti. Agjenda legjislative parasheh 200 ligje të reja deri në fund të vitit 2028. Megjithatë, njohës të punës së Kuvendit thonë se numri i deputetëve të shumicës parlamentare dhe rreziku që disa nismat të shkaktojnë përplasje politike mund ta vështirësojnë përmbushjen e agjendës
Në 80 ditët e mbetura të këtij viti, Qeveria synon t’i miratohen 65 ligje në kuvend.
Në agjendën legjislative, figuron se ekzekutivi ka paraparë miratimin e 200 ligjeve të reja deri në fund të 2028-s.
17 prej tyre janë miratuar në lexim të parë, në seancën plenare të mbajtur të hënën e që zgjati më shumë se tetë orë.
Megjithatë, sipas gazetarit Fitim Gashi, për shkak se koalicioni qeverisës i ka 62 deputetë, përmbushja e kësaj agjende, sidomos brenda afateve të parapara është e vështirë.
Gashi thotë se duhet disiplinë e koordinim mes deputetëve e gjithashtu, sipas tij, ka edhe ligje që mund ta cenojnë kohezionin edhe brenda shumicës.
“Vështirësi të veçantë mund të paraqesin edhe nismat që bartin potencial të lartë, le të themi, polarizues politik dhe shoqëror. Një shembull i tillë është edhe ndryshimi i Kodit Civil, i cili përfshin dispozita që lidhen me martesat ndërmjet personave të së njëjtës gjini. Dhe një nismë e tillë që kishte dështuar në të kaluarën kërkon debat të mirëfilltë parlamentar dhe publik, si dhe respektim të të drejtave themelore”, ka thënë Gashi.
Për miratimin e një ligji nevojiten 61 vota. E projektkodi civil është paraparë të miratohet në mes të nëntorit.
Gjithashtu në agjendë janë paraparë edhe ligje që gjatë mandatit të kaluar qeverisës janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ndër ta është ai për Komisionin e Pavarur për Media, ai për Zyrtarët Publikë, Byronë për Hetimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe të tjerë.
Sipas Gashit, vëmendje e veçantë duhet kushtuar edhe cilësisë së ligjeve.
“Përtej sfidave politike, shqetësim mbetet edhe cilësia e hartimit të ligjeve, pasi, përvoja e viteve të kaluara kur dispozita dhe ligje të ndryshme janë kontestuar nga opozita me të drejtë, sepse është e drejta e tyre dhe disa prej tyre janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, e dëshmojnë rëndësinë e kontrollit të kujdesshëm kushtetues dhe ligjor para miratimit të këtyre ligjeve”, ka thënë Gashi.
Për vitin 2027 janë paraparë 121 ligje, e për 2028-n 14.
KOHA ka pyetur disa deputetë opozitarë lidhur me agjendën legjislative se a i përmbush nevojat e qytetarëve dhe se a ka nevojë për plotësim, por nga ta nuk mori përgjigje.
Për gati dy vjet vendi u përball me një krizë institucionale e cila ka çuar në grumbullim të punëve si për Kuvendin, ashtu edhe për Qeverinë.
Të martën, në ditën e fundit të afatit, Kuvendi zgjodhi Justina Shiroka-Pulën si presidente, me çka u shmangën zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti.