Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Qelaj antwortet auf Special: Die Ombudsstelle in Den Haag hat unser Mandat nicht beendet.

Zelle

Zyra e Avokatit të Popullit të Kosovës i ka reaguar Gjykatës Speciale lidhur me refuzimin e ftesës për tryezën rreth “konstatimeve dhe rekomandimeve ex officio të institucionit të tij mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

Në një komunikatë të lëshuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara është thënë se  pranimi i ftesës do të ishte i papërshtatshëm. Kjo pasi Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, Pietro Spera, ka autoritetin ekskluziv për të  monitoruar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. E ndër të tjera thuhet se mungesa e kompetencës së Avokatit të Popullit të Kosovës,  Naim Qelaj në lidhje me Dhomat e Specializuara i është komunikuar më parë atij dhe i është shpjeguar publikut në një deklaratë.

Në një përgjigje  ndaj këtij qëndrimi, Avokati i Popullit ka thënë se ky institucion është themeluar me Kushtetutë të Kosovës.

Tutje në komunikatë thuhet se kjo zyrë vlerëson se përgjegjësia ekskluzive që i është caktuar Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë bazuar në kornizën përkatëse kushtetuese dhe ligjore nuk nënkupton, në vetvete, përjashtim të kompetencës së Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës për t’u angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara. 

“Sipas vlerësimit tim, një interpretim i tillë do të ngatërronte dy koncepte të dallueshme juridike: ‘përgjegjësinë ekskluzive’ dhe ‘kompetencën ekskluzive’.  Përgjegjësia ekskluzive duhet kuptuar, para së gjithash, si detyrim i posaçëm institucional i Zyrës së caktuar të Avokatit të Popullit për të përmbushur funksionin që i është caktuar dhe për të vepruar si mekanizëm institucional parësor dhe i domosdoshëm sa herë që rrethanat e një rasti të caktuar kërkojnë ndërhyrje. Ky është detyrim për të vepruar, dhe jo e drejtë për të penguar veprimin e institucioneve të tjera. Ky koncept përcakton përgjegjësinë që Zyra e caktuar duhet të marrë përsipër; megjithatë, në mungesë të një baze të qartë kushtetuese, koncepti nuk përcakton se të gjitha institucionet e tjera me mandat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të bazuar në Kushtetutë, përjashtohen nga ushtrimi i funksioneve të tyre përkatëse”, thuhet në reagim.

Sipas Qelajt, deri më tani, Zyra e Avokatit të Popullit në Hagë nuk e ka ushtruar në praktikë funksionin e saj monitorues për t’iu përgjigjur shqetësimeve lidhur me të drejtat e njeriut të personave që janë subjekt i procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara. 

Ka shtuar se kjo rrethanë ngre një pyetje legjitime lidhur me përmbushjen në praktikë të përgjegjësisë që i është caktuar këtij mekanizmi. 

“Do të ishte e vështirë të arsyetohej një interpretim sipas të cilit ekzistenca e një zyre të caktuar, pa ushtrimin efektiv të mandatit të saj, do ta pengonte, në vetvete, një institucion tjetër të themeluar me Kushtetutë që të kryente monitorimin e të drejtave të njeriut në kuadër të kompetencave të veta ligjore”, thuhet në përgjigje.

Në vazhdim ka sqaruar se qëndrimi i Avokatit të Popullit nuk nënkupton se mandati i Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës automatikisht mbizotëron ose zëvendëson përgjegjësitë e veçanta që i janë caktuar Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë. Theksohet se këto institucione kanë mandate plotësuese. 

Qëndrimi i Avokatit të Popullit  është se ekzistenca e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë nuk e shuan, në vetvete, mandatin e Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës. 

Për më tepër, Qelaj në përgjigjen e Avokatit të Popullit ka theksuar se  që nga viti 2021, Institucioni i Avokatit të Popullit i Republikës së Kosovës ka ngritur vazhdimisht shqetësime pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë edhe përmes korrespondencës zyrtare të mëvonshme, ndaj së cilës nuk është dhënë asnjë përgjigje. 

“Mungesa e vazhdueshme e përgjigjes ngre shqetësime serioze lidhur me transparencën dhe krijon perceptimin se informacioni mund të mbahet qëllimisht i fshehtë. Në këtë kontekst, duhet theksuar se ngritja e shqetësimeve dhe dhënia e rekomandimeve nga Avokati i Popullit janë në përputhje me mandatin e tij ligjor, të përcaktuar me Ligjin nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, i cili përfshin edhe nxjerrjen e rekomandimeve të përgjithshme lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor. Rekomandime të tilla synojnë forcimin e praktikave institucionale dhe rritjen e besimit të publikut në administrimin e drejtësisë, pa cenuar pavarësinë gjyqësore”, thuhet tutje në komunikatë.