Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

PDK und LDK stehen im Vorfeld der Wahlen vor internen Auseinandersetzungen.

PDK LDK

Një vit pas zgjedhjeve të fundit, Partia Demokratike e Kosovës do të përballet edhe me një proces të brendshëm zgjedhor. Por, dy ditë pas dorëheqjes së Bedri Hamzës, nga ky subjekt politik nuk kanë ndarë hollësi se kur do të zhvillohet ky proces. Në anën tjetër, njohës të zhvillimeve në vend vlerësojnë se sfera politike ka nevojë për një opozitë të konsoliduar

Shkëndija të ndasive të brendshme janë ndezur sërish në dy subjektet më të mëdha parlamentare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kërkesës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është bashkuar edhe deputeti i kësaj partie, Arben Gashi, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Në një postim në Facebook, Gashi ka thënë se ka ardhur koha për një fillim të ri për LDK-në.

“Unë besoj në një fillim të ri: demokratik, gjithëpërfshirës dhe bashkues. Një proces zgjedhor brenda LDK-së, ku askush nuk përjashtohet, secili ka të drejtë të kandidojë apo të rikandidojë dhe ku vendosin anëtarët përmes votës së lirë. Prandaj, bëj thirrje që të ulemi, të dialogojmë dhe të dakordohemi për zgjedhje të reja partiake, në një kohë të përshtatshme dhe me rregulla të drejta për të gjithë”, ka shkruar Gashi.

E në një proces të tillë zgjedhor, së shpejti do të hyjë Partia Demokratike e Kosovës, pas dorëheqjes së kryetarit Bedri Hamza. Nga ky subjekt, nuk treguan për kohën kur planifikohet të mbahet Kuvendi Zgjedhor e as çfarë synohet nga këto zgjedhje.

Por, kërkesa për të tërhequr ligjin për Specialen para dekretimit nga presidentja, ka ngjallur pakënaqësi edhe në mes të eksponentëve të kësaj partie.

Njohës të zhvillimeve në vend, vlerësojnë se sferës politike i duhet një opozitë më e konsoliduar e se në të dyja subjektet politike është duke u bërë garë për pushtet.

Analisti Albinot Maloku thotë se PDK-ja dhe LDK-ja kanë nevojë për procese zgjedhore të brendshme që zhvillohen në të gjitha strukturat.

“Unë konsideroj se secila prej këtyre subjekteve politike do të duhej që të kenë procese të natyrshme zgjedhore përbrenda subjekteve të tyre, në mënyrë që më pastaj të kemi natyrshmëri të lëvizjeve politike. Përndryshe konsideroj që janë demokraci vibrante përbrenda këtyre subjekteve politike, që padurueshmëria ose ajo mospajtueshmëria shpërfaqet shumë më shpejt në opinion e në instancë të fundit edhe po krenohen këto dyja që kanë një demokraci shumë të theksuar”, ka thënë Maloku.

Kurse, sipas analistit Arbnor Sadiku, gara në të dyja partitë është në mes dy grupeve të caktuara.

“Kemi një betejë për pushtet në dy partitë, pra LDK dhe PDK me zëra autentikë, siç janë Gruda dhe Abdixhiku, dhe në njërën anë kemi njerëz që tentojnë ta kapin PDK-në që vijnë nga sfera e biznesit si Uran Ismaili dhe në LDK, Përparim Rama”, ka deklaruar Sadiku.

PDK-ja, zgjedhjet e fundit të brendshme i mbajti në nëntor të vitit të shkuar, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga posti i të parit të partisë. Ndërkaq, LDK-ja zgjodhi për kryetar Abdixhikun pesë vjet më parë, i cili gjatë kësaj periudhe është konfirmuar në këtë post edhe tri herë të tjera. Të dy këto parti sikurse edhe Aleanca si forca e tretë opozitare në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato lokale nuk kanë shfaqur tendencë të rritjes, përkundrazi. Lëvizja Vetëvendosje krahas fitoreve bindëse në tri palë zgjedhjet që janë mbajtur gjatë vitit 2025 dhe 2026, ka rritur pushtetin edhe në nivel komunal.