Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

PDK und Allianz erneut vor der Regierung: Kurti blockiert absichtlich den Staat

PDK und Allianz erneut vor der Regierung: Kurti blockiert absichtlich den Staat

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës ia kanë zënë sërish derën Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që të thirret seanca konstituive e Kuvendit.

Deputetët e të dyja partive kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se “po e bllokon qëllimshëm shtetin”.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se vendi ndodhet në krizë kushtetuese, politike dhe ekonomike.

“Edhe sot bashkë me kolegët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës dhe asamblistë kemi ardhur për të dalë sërish para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për të përçuar mesazhin te qytetarët e Kosovës se kjo ndërtesë e qeverisë është uzurpuar, është okupuar nga një deputet i cili që nga viti 2025 e mban Kosovën peng, e mban Kosovën në kriza të vazhdueshme dhe kriza është e shumëfishtë. Jemi në një krizë kushtetuese më të thellën që nga historia e Kosovës, jemi në një krizë politike më të thellën që nga paslufta në Republikën e Kosovës, jemi në një krizë ekonomike, në një krizë edhe me aleatët tanë. Qeveria e Kosovës e ka pasur një buxhet prej 4 miliardë euro. Sot jemi në shtator. Ku janë këto para? Ku kanë shkuar këto para? Pra nuk kemi asnjë projekt, nuk kemi asnjë projekt në shëndetësi, asnjë projekt në infrastrukturë, asnjë projekt në fushën e arsimit dhe jemi në një kolaps total”, ka thënë Behrami.

Behrami ka thënë se Kurti po tenton ta shndërrojë Kosovën në autokraci.

“Prandaj thirrja jonë edhe një herë është që të rikthehemi në Kuvend, të konstituojmë institucionet e Republikës së Kosovës dhe që të vazhdojmë t’i adresojmë sfidat e brendshme dhe të jashtme që i presin Republikën e Kosovës. Kjo përpjekje e zotëri Kurtit, këto tundime për t’u shndërruar në një autokrat do të dështojnë sepse ne, edhe si parti politike, edhe në parlament do të bëjmë çdo gjë për të parandaluar diçka të tillë dhe për të rikthyer edhe një herë Kosovën në binarët kushtetues”, ka thënë Behrami.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka thënë se aksionet po zhvillohen për të tërhequr vëmendjen dhe për të kërkuar kthimin në institucione.

“Ashtu siç e tha edhe kolegu ynë, bashkë me deputetët e PDK-së dhe ne Aleanca, po dalim çdo ditë këtu në aksione simbolike për të marrë vëmendje dhe për të kërkuar që t’i kthehemi institucioneve, që t’i kthehemi kushtetutshmërisë. Përderisa në çdo sektor kemi ngecje, ne duhet të ballafaqohemi me probleme të tjera sepse njeriu i cili ka fituar zgjedhjet nuk i kthehet institucioneve, nuk e konstituon Kuvendin dhe e ka çuar vendin në një bllokadë”, ka thënë Kadrijaj. “E kemi një bllokadë totale dhe arsyeja që po dalim, kërkojmë që ta zhbllokojmë këtë bllokadë të cilën qëllimshëm po e shkakton Albin Kurti. Adresa e kësaj bllokade, adresa e së keqes së këtij vendi është Albin Kurti”.

Në aksionin e tyre janë bashkuar edhe asamblistë nga Prishtina.

PDK-ja dhe Aleanca po protestojnë çdo ditë me kërkesën për të ftuar seancën konstituive të legjislaturës së 11-të. Kjo seancë u nis dy herë por u shty me kërkesë të Kurtit për të negociuar për çështjen e presidentit. Sipas Kurtit, pa marrëveshje për zgjedhjen e presidentit pashmangshëm do të shkohej në zgjedhje të reja edhe nëse konstituohet Kuvendi e formohet Qeveria. Ai tashmë ka arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për emrin e Bekim Sejdiut, por se në LDK ka përçarje dhe aktualisht s’janë numrat e mjaftueshëm.