Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

In manchen Kliniken gibt es keine Rampen, in der Pneumologie hat man sich mit Treppen beholfen.

Pjerrina - Pulomologji

Për pacientët me vështirësi në lëvizje, qasja në disa klinika të QKUK-së vazhdon të jetë problem. Në disa objekte pjerrinat mungojnë fare, ndërsa aty ekzistojnë, si në Klinikën e Pulmologjisë, zgjidhja është e improvizuar dhe jo mjaftueshëm funksionale. E pacientët shprehin nevojën për qasje më të përshtatshme dhe më të lehtë në klinika

Për personat me vështirësi në lëvizje, hyrja në Klinikën e Pulmologjisë nuk është e përshtatshme. Shkallët janë improvizuar edhe si pjerrinë, por kjo zgjidhje është e ngushtë dhe është ndërtuar mbi shkallët ekzistuese.  

Nevojën për një pjerrinë më të përshtatshme e ka shprehur edhe një pacient i kësaj klinike.

“Po, më lehtë është të ndërtohet edhe të bëhet ma e gjerë kjo, edhe me karrocë të dalësh ma lehtë. Të paktën, kurdo që ka nevojë, kjo e ngushtë është. Mirë është me e ndreq”, ka deklaruar pacienti Shaban Sharjani. 

Probleme me qasjen për personat me vështirësi në lëvizje kanë edhe klinikat e tjera të QKUK-së.

Shpesh pacientët me shtretër barten më vështirësi të mëdha nga njëri objekt në tjetrin.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, në hyrjen kryesore nuk ka fare pjerrinë.

Janë vetëm tetë shkallë, të cilat paraqesin pengesë për gratë shtatzëna dhe pacientët me vështirësi në lëvizje dhe prindërit që bartin fëmijët me karroca apo persona që kanë valixhe.

Pjerrinat mungojnë edhe në ndërtesat e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Kirurgjisë Maksilofaciale dhe Klinikës së Internos.

Për nevojën e një qasjeje më të lehtë për pacientët flet edhe Ali Shehu, pacient në Klinikën e Internos. 

“Po, duhet ato pjerrinat me qenë, sepse duhet t’ua lehtësojnë edhe pacientëve me aftësi të kufizuara të hipin. Duhet me pas qasje për t’u ngjitë e jo nëpër shkallë, për me u ngjitë poshtë e lart. Ajo është shumë keq. Klinika Interne ka nevojë shumë me i pas ato”, ka theksuar Shehu. 

Për ndërtimin dhe renovimin e pjerrinave në këto klinika, SHSKUK-ja kishte hapur aktivitet prokurimi vitin e kaluar.

Klinika interne është një nga gjashtë objektet ku ishte paraparë ndërtimi i pjerrinës, por ky intervenim për ndërtimin dhe renovimin e pjerrinave ka dështuar 8 muaj më parë.

Ky ishte aktiviteti i dytë prokurues për ndërtimin dhe renovimin e pjerrinave që kishte dështuar.

Pavarësisht kësaj, për tetë muaj, SHSKUK-ja nuk ka hapur një aktivitet të ri prokurimi.

KOHA i ka dërguar pyetje SHSKUK-së se kur pritet të hapet një procedurë e re dhe pse kjo nuk është bërë deri tash, por nuk ka marrë përgjigje.

Tenderi i iniciuar nga QKUK-ja në shtator të vitit të kaluar parashihte ndërtimin e pjerrinës në Klinikën e Gjinekologjisë, pastaj renovimin e pjerrinave dhe hapësirave përreth në Klinikën e Pulmologjisë, atë të Neurologjisë, të Onkologjisë, në Barnatoren Qendrore dhe te plateja e Lavatores Qendrore.