Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Die neuen Maschinen ersetzen die Arbeiter.

Arbeiter

Foto: Illustration

Në muajin korrik prodhimi në industri dhe qarkullimi i mallrave në tregti janë rritur, por numri i të punësuarve të rinj, nuk është ngritur në proporcion me këtë. Në Odën Ekonomike kanë thënë se investimi në makineri të reja po e zëvendëson një pjesë të punës së njerëzve. Por, njohësi i ekonomisë, Fidan Qerimi, ka thënë se rritja e prodhimit duhet parë edhe në raport me inflacionin

Është rritur prodhimi në sektorin e industrisë e edhe qarkullimi në tregti, por kjo nuk është shoqëruar me rritje proporcionale punësimi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për korrikun e këtij viti, prodhimi industrial është rritur për 12.47 për qind krahasuar me korrikun e vitit paraprak, ndërsa punësimi në këtë sektor është rritur për 4.74 për qind.

Rritje është regjistruar edhe në tregtinë me pakicë. Qarkullimi është rritur për 15.46 për qind, ndërsa numri i të punësuarve 5.43 për qind.

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka treguar arsyen pse rritja e aktivitetit në të dy sektorët e ekonomisë nuk është përcjellë proporcionalisht edhe me rritjen e punësimit.

“Së pari, si rezultat i fitimit të tregjeve të huaja për shitjen e prodhimeve kosovare ka ardhur edhe kërkesa e kohës që të investohet në makineri të reja që të kemi produktin sa më kualitativ dhe pa dyshim edhe mungesa e fuqisë punëtore ka shtyrë shumë kompani që të investojnë në makineri që së paku disa operacione të kryhen nga makineritë që më herët janë bërë nga fuqi punëtore”, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike.

Por, njohësi i ekonomisë, Fidan Qerimi, ka thënë se kjo rritje duhet të analizohet në raport me inflacionin, pasi rritja nominale e prodhimit nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje reale të aktivitetit ekonomik.

“Për tremujorin e dytë kemi një inflacion prej 4.6% dhe nëse e heqim këtë pjesën e inflacionit që ka ndodhur në produktet, do të shohim se kemi një përafrim të qarkullimit real në industri dhe rritjes së punësimit. Do të ishte mirë që të kishim ngritje të tillë sepse kjo do të reflektonte në ngritjen te produktivitetit të kompanive, dhe efikasitetit në punën e tyre”, ka thënë Qerimi.

Sipas tij, rritja e prodhimit industrial nuk mund të merret si rritje reale e aktivitetit ekonomik, pa u zbritur ndikimi i inflacionit.

“Kjo nuk do të thotë se kemi një rritje të prodhimit automatikisht për shkak se ne siç dihet kemi një inflacion jashtëzakonisht të larë në këto periudha. Siç e kemi parë nga raporti i fundit nga Agjencisë së Statistikave, inflacioni në konsum të përgjithshëm është 7.5% fatkeqësisht ende nuk e kemi një raport mbi çmimet e prodhimit”, ka shtuar Qerimi.

Të dhënat statistikore kanë treguar se dallime të mëdha mes rritjes së qarkullimit dhe punësimit ka edhe në aktivitete të veçanta ekonomike. Te tregtia me pakicë e karburanteve, qarkullimi është rritur për 20.40 për qind, ndërsa punësimi ka shënuar rënie prej 9.41 për qind.

E rritja e çmimeve të konsumit ka vazhduar me ritëm të lartë edhe në muajin gusht, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Gushti 2026 është përcjellë me shtrenjtim prej 7.3 për qind në krahasim me gushtin e vitit të shkuar. E ky muaj ishte edhe për 1.3 për qind më i shtrenjtë se muaji korrik. Shtrenjtimet e gushtit paraqesin vazhdimësi të normës së lartë të inflacionit sivjet në përgjithësi. Në fakt, prej muajit qershor të vitit të shkuar norma e inflacionit nuk ka rënë nën 4.3 për qind në raport me muajin e njëjtë të vitit të shkuar.

Rezana Bozhlani