Kuvendi i Kosovës ka dërguar njoftim për vazhdimin e seancës konstituive e cila pritet të mbahet nesër me fillim nga orën 11:00.
Në rendin e ditës të dërguar nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit janë dy pika, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit ka kaluar afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituim që prej ditës së certifikimit. Partitë opozitare kanë kritikuar në vazhdimësi kryesuesin e seancës Avni Dehari dhe Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, për mosftesën e seancës.
Në dy raste, deputetët u mblodhën për konstituim, por kryetari i VV-së, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për të negociuar për çështjen e presidentit.
Sipas tij, pa marrëveshje për presidentin zgjedhjet e reja do të ishin të pashmangshme. Seancat në fjalë ishin mbajtur përtej afatit 30 ditor, e tashmë kanë kaluar edhe 30 ditë të tjera.
Dehari e ka ftuar për 9 shtator vazhdimin e seancës, pas marrëveshjes VV-LDK për presidentin, sado që 6 deputetë të LDK-së kanë dalë kundër dhe numrat aktualisht nuk mjaftojnë për votim në dy rundet e para.