Thirrje për bashkim të spektrit politik dhe konsensus të gjerë shoqëror ka bërë ministrja Mimoza Kusari-Lila, pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Por, përderisa PDK-ja ka nisur procedurat për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, në LVV thonë se fillimisht duhet pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjet që lidhen me konstituimin e Kuvendit
Konsensus të gjerë shoqëror e bashkim të spektrit politikë ka kërkuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila në funksion të lirimit të plotë të katër krerëve të UÇK-së.
Një ditë më parë, nga Lëvizja Vetëvendosje, në përgjigje ndaj nismës së Partisë Demokratike për ndryshime të Ligjit për Dhomat e Specializuara, kanë deklaruar se presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
E Kusari-Lila ka thënë se para çdo veprimi, duhet të vlerësohet edhe aspekti ligjor.
“Përpjekja e përbashkët, duhet angazhim të plotë i të gjitha niveleve edhe natyrisht në aspektin politikë edhe të partive deri tash opozitare e gjithashtu edhe qeverisë, kuvendit me shumicën në mënyrë që e gjithë mbështetja në këtë rrugëtim ligjor shumë sfidues për vendin të dalë me sukses në fund”, ka thënë ajo.
Të mërkurën, Specialja ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.
Por, një javë më parë, partia më e madhe në opozitë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa që kontestojnë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka premtuar tërheqjen e këtyre lëndëve nëse LVV-ja jep zotimin publik se do ta mbështesë nismën për ndryshimin e ligjit.
Partia në pushtet, në përgjigjen e saj, ka thënë se pas vendimit të Kushtetueses, projektligji do të shqyrtohet me kujdes, përfshirë përputhshmërinë me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që mund të ketë në këtë fazë të procedurave në Dhomat e Specializuara.
E Adnan Rrustemi, deputet i LVV-së, ka thënë se çështja e Speciales duhet të trajtohet pa kalkulime politike. Ai ka theksuar se PDK-ja po e dërgon nismën në një Kuvend të cilin vetë e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.
Vlora Çitaku, deputete e PDK-së, ka theksuar se kalkulimet politike po i bën LVV-ja. Sipas saj, PDK-ja ka ofruar tërheqjen e lëndëve nga Kushtetuesja në këmbim të mbështetjes për nismën ligjore.
Aber der Publizist Veton Surroi paralajmëroi se përplasjet politike mund të thellohen në rast se spektri politik nuk arrin të krijojë një konsensus dhe një platformë të përbashkët shtetërore për t'u ballafaquar me aktgjykimin.
“Nëse kriza politike vazhdon tutje atëherë ky ligjërim i konflikteve të brendshme ndër-shqiptare do të thellohet edhe më tutje dhe do të futen edhe elementet e çfarë ka ndodhur në vitin 97’,98’, çfarë ka ndodhur në vitin 2001 do të përmenden personalitete, njerëz. Do të futemi në një brenda vështrim historik pa pasur mjetet e duhura historike”, ka thënë Surroi në emisionin “Konfront” të KTV-së.
Shpallja e aktgjykimit në Hagë Kosovën e ka gjetur në një krizë politike e institucionale thuajse dyvjeçare.
Përpos Kuvendit dhe Qeverisë së kontestuar në Kushtetuese, edhe funksioni i presidentit po ushtrohet nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila këtë funksion mund ta ushtrojë deri më 4 tetor.