Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se integrimi më i madh ndërkombëtar i Kosovës mbetet i rëndësishëm për qytetarët, duke theksuar përfitimet që do të sillte anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe në Interpol.
Në ceremoninë e hapjes së edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës, Kurti tha se Kosova, përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, ka kaluar nga sfidat e para të ndërtimit të shtetit në një pjesëmarrëse aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
“Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian po vazhdon, ndërsa tashmë dy vjet qytetarët e Kosovës po udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen. Sidoqoftë, nuk duhet ta humbim nga vëmendja rëndësinë që integrimi më i madh ndërkombëtar do të kishte për qytetarët e Kosovës. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shembull, do t’u mundësonte të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në sistemin më të gjerë evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ndërkaq, anëtarësimi në Interpol do t’u mundësonte institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë të shkëmbenin informacione dhe të bashkëpunonin në kohë reale me forcat policore në mbarë botën”, tha Kurti.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, vlerësoi se rrugëtimi i Kosovës në diplomaci pasqyron transformimin e vendit nga një popull nën administrimin ndërkombëtar në një shtet të përfaqësuar në vende të ndryshme të botës përmes misioneve të tij diplomatike dhe konsullore.
“Kosova ka një marrëdhënie të veçantë me diplomacinë dhe komunitetin ndërkombëtar. Jo shumë kohë më parë, ne ishim një popull që jetonim nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe shumë organizatave e misioneve të tjera ndërkombëtare, një pjesë e madhe e botës ishte e pranishme këtu. Sot, në vitin e 15-të pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është vetë e pranishme në mbarë botën, përmes më shumë se 50 misioneve diplomatike dhe konsullore në mbi 30 vende të botës. Ky transformim është ndoshta një nga mënyrat më të mira për ta kuptuar rrugëtimin e vendit tonë”, tha Ahmeti.
Në anën tjetër, drejtoresha e Akademisë Diplomatike, Mirjeta Behluli, tha se Shkolla Diplomatike është shndërruar në një traditë të rëndësishme për përgatitjen profesionale të diplomatëve të rinj, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të reja profesionale.
“Ky program i trajnimit diplomatik është shndërruar në një traditë të rëndësishme të Akademisë Diplomatike dhe në një platformë të vlefshme për zhvillimin profesional të diplomatëve të rinj, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të reja profesionale dhe diplomatike. Akademia Diplomatike ka misionin dhe përgjegjësinë institucionale për të mbështetur përgatitjen dhe zhvillimin profesional të zyrtarëve të shërbimit të jashtëm”, tha ajo.
Tema e këtij edicioni të 12-të të Shkollës Diplomatike është “Shtetet e vogla, diplomacia e zgjuar, siguria dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në kohë të pasigurisë globale”./KSP