Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbështetur nominimin e profesorit Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes, LDK-ja ka bërë të ditur se vendimi është marrë në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë dhe me procedurat e saj statutare.
Sipas LDK-së, marrëveshja politike e miratuar sot edhe në kryesi synon përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit dhe shmangien e një krize të re institucionale.
“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Në njoftim thuhet se Sejdiu është vlerësuar si kandidat që i përmbush kriteret për ushtrimin e detyrës së presidentit dhe se përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në diplomaci përbën bazë për një ushtrim të pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz të detyrës së presidentit.