Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Kosovo plant die Produktion von Munition, Drohnen, Drohnenabwehrsystemen, militärischen Elektroniksystemen und Panzerungen.

FSK

Jo veç municione e dronë, por edhe pajisje tjera ushtarake, përfshirë automjete të blinduara, sisteme elektronike ushtarake, dhe pajisje si uniforma, helmeta e antiplumb, planifikon të prodhojë Kosova. Tashmë është finalizuar drafti i një koncept-dokumenti që parasheh ngritjen e Korporatës Shtetërore të Industrisë së Mbrojtjes, në kuadër të së cilës do të funksionojë edhe një park industrial

Kosova planifikon ta themelojë Korporatën Shtetërore të Industrisë së Mbrojtjes. Në kuadër të saj parashihen fabrikat që prodhojnë jo vetëm municione e dronë, por edhe mjete të tjera ushtarake, nga blindat e deri te censorët e uniformat.

Arkitektura e saj është përshkruar në draftin e një koncept dokumenti, të finalizuar nga Ministria e Mbrojtjes.

Ministria ka paraparë që Korporata t’i ketë 6 divizione, në krye të të cilëve është ai i municioneve.

Divizioni i Municioneve: Fabrikat prodhuese të municioneve të kalibrave të vegjël dhe të artilerisë. Ky divizion do të ndërtojë një fabrikë moderne në perëndim të vendit (p.sh. Jahoc të Gjakovës) duke përdorur teknologji bashkëkohore turke apo gjermane për municionet e para “Made in Kosova”, thuhet në draftin e koncept dokumentit për fushën e industrisë së mbrojtjes.

Divizioni i dytë është ai i automjeteve ushtarake, por i fokusuar në mirëmbajtje, riparim dhe rindërtim. Dokumenti tregon se kjo mund të fillojë nga rifabrikimi i automjeteve të blinduara.

Korporata parashihet ta ketë edhe divizionin për dronët.

“Divizioni i Sistemeve Pa Pilot (UAV): Zhvillimi dhe prodhimi i sistemeve pa pilot, si dronët taktikë dhe anti-dronë. Një laborator kombëtar i dronëve mund të themelohet në partneritet me përmbaruesit vendorë (p.sh. elektronikë, softuer) dhe institutet e kërkimit për të nxitur inovacionin në këtë fushë emergjente”, thuhet në dokument.

Në kuadër të korporatës parashihet ngritja edhe e konceptit që njihet si truri dhe sistemi nervor i ushtrisë. Ai përfshin komandën, kontrollin, komunikimet, kompjuterët, inteligjencën, vëzhgimin dhe zbulimin.

“Divizioni i Elektronikës & C4ISR: Projektimi dhe prodhimi i sistemeve elektronike ushtarake (komunikimi taktik, sensorë, sistemi komandë-kontroll). Kjo rrit pavarësinë teknologjike të FSK-së dhe i shërben edhe sektorit civil (telekomunikacion, siguri kibernetike) për mbyllje të ciklit të zhvillimit teknologjik”, thuhet në dokument.

Një divizion është paraparë të përkujdeset kryesisht për gjenerimin e mundësive për prodhimin e pajisjeve individuale si uniforma, helmeta, antiplumb, e të tjera, kurse një tjetër për menaxhimin e operacioneve ditore dhe për sigurinë e parkut industrial, që është planifikuar të themelohet.

Korporata, parku industrial i mbrojtjes dhe pesë departamente parashihet të jenë nën kupolën e një agjencie të re që do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Një nga ta do të angazhohet të gjejë edhe kompani private për t’u përfshirë në bashkëprodhim.

“Departamenti për Bashkëpunim Industrial & Partneritete: Përqendrohet në krijimin e partneriteteve publik-privat, promovimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në sektorin e mbrojtjes, si dhe integrimin e kompanive vendore në zinxhirë furnizimi ndërkombëtar. Menaxhon bashkëpunimin me federatat e industrisë dhe agjencitë e EU-së për akselerimin e projekteve industriale”, t huhet në draftin e koncept dokumentit për fushën e industrisë së mbrojtjes.

Një nga departamentet do të merret me hartimin e politikave dhe legjislacionit kombëtar të industrisë së mbrojtjes dhe do te punojë në harmonizimin e standardeve me NATO-n e Bashkimin Evropian, një tjetër do të mbikëqyrë cilësinë e procesit të prodhimeve, do të menaxhojë laboratorët e konformitetit, do të mbikëqyrë tregun e produkteve dhe shërbimeve të mbrojtjes, kurse një departament tjetër do të lëshojë vlerësime për licencat relevante si për eksport të armëve e prodhim municionesh, e edhe do të kontrollojë implementimin e marrëveshjeve për blerje e shitje në fushën e mbrojtjes. 

Koncept dokumenti thekson se mjedisi global i sigurisë po përballet me paqëndureshmëri e pasiguri gjithnjë në rritje me kërcënimet që janë bërë më komplekse. Ai ka vënë në pah nevojën për kapacitete të avancuara për paralajmërim të hershëm dhe reagim të shpejtë e efektiv, në kohën kur shtetet, përfshirë Kosovën, po ballafaqohen me sfida të reja si konfliktet hibride, sulmet kibernetike, terrorizëm e konkurrencë të ashpër gjeopolitike.

“Në këtë rrethanë, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes shihet si një element kyç për forcimin e aftësive të sigurisë kombëtare, modernizimin e pajisjeve dhe teknologjive të forcave të armatosura, si dhe krijimin e kapaciteteve vendore që e ulin varësinë nga importi. Një industri e konsoliduar e mbrojtjes, përveçse ndihmon sigurinë, nxit kërkimin shkencor dhe inovacionin, duke ndikuar pozitivisht edhe në sektorë tjerë të ekonomisë. Për Kosovën, ndërtimi i një baze të fortë e të qëndrueshme për industrinë e mbrojtjes është i domosdoshëm jo vetëm për të plotësuar nevojat e sigurisë, por edhe për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ky sektor mund të shërbejë si nxitës për investime strategjike të huaja, për transferim teknologjie dhe për forcimin e bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë”, thuhet në hyrje të dokumentit.

Koncept-dokumenti thekson mungesën e kapaciteteve teknike dhe infrastrukturore të Kosovës për prodhim të teknologjive të avancuara të mbrojtjes dhe varësinë nga prodhues të jashtëm 

Ai propozon që modeli më i përshtatshëm për industrinë ushtarake të Kosovës është qasje e kombinuar nga shtete të ndryshme, duke marrë elemente nga modelet e Kroacisë, Turqisë, Shqipërisë, por edhe nga ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Këto hyjnë në kuadër të propozimit për hartimin e një Ligji për Industrinë e Mbrojtjes. Ligji synon të rregullojë dhe kontrollojë prodhimin, tregtimin dhe eksportin e armëve e pajisjeve të mbrojtjes, të përcaktojë procedurat për licencimin e kompanive të sektorit, si dhe të mbrojë interesin kombëtar dhe të nxisë zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe integrimet ndërkombëtare.