Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Die Gemeinde übergibt das „Tulltore“ an den Privatsektor, den sie für 5 Millionen Euro erworben hat.

Die Dummheit

Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka miratuar dhënien në shfrytëzim 50-vjeçar të kompleksit “Tulltorja” te kompania “BGC SH.P.K.”. Vendimi është përcjellë me tensione e protestë me pranga në duar nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzuan kryetarin Rama për dakordim e kryerje të shpejtë të procedurave për dhënien në shfrytëzim të saj

Me pranga në duar e kanë kundërshtuar fjalimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, asamblistë të Vetëvendosjes në lidhje me sqarimet e tij për dhënien në shfrytëzim të “Tulltores” tek operatorët privatë “BGC SHPK” për 50 vjet.

Ata e kanë akuzuar Ramën për dakordim e kryerje të shpejtë të procedurave për dhënien në shfrytëzim tek operatori privat të 4.5 hektarëve tokë.

“Problemi i parë me kontratën të cilën na ka ofruar është mënyra, lehtësia se si kjo qeverisje, se si “Përparim Legalizimi” e trajton pronën publike. Oferta e investitorit privat është negociuar, është dakorduar, janë marrë vesh, kushtet të gjitha, në fund të gushtit dhe është nënshkruar aty për aty. Merreni me mend për dhjetë ditë i ka kryer të gjitha këto punë Përparimi”, ka thënë asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla.

Por Rama ka thënë se toka do të jepet në shfrytëzim, ashtu që kryeqyteti të përfitojë 1 milion euro gjatë vitit.

“Toka nuk falet, toka mbetet pronë e kryeqytetit, jepet në shfrytëzim, për t’u zhvilluar dhe për këtë shfrytëzim kryeqyteti përfiton 1 milion euro në vit, për 50 vjet mbi 50 milionë. Gjatë periudhës së shfrytëzimit jo vetëm toka, por edhe aseti i ndërtuar në të mbetet i kryeqytetit. Prandaj mos e dezinformoni qytetarin, sepse toka nuk po falet”, ka thënë Rama.

Sveçla ka kritikuar edhe asamblistët e Partisë Demokratike për mosreagim.

Gjatë seancës, Sveçla ka shkuar më tej më kritika ndaj Ramës, duke bërë thirrje se ndaj tij duhet të shqiptohet dënim me burgim.

“Nëse Përparimi nuk shkon në burg, ky është dështim i shtetit. Në dështojmë si shoqëri, nëse ky Përparim, ky mashtrues, ky bankrotues i ndërmarrjeve komunale, ky abuzues i buxhetit të qytetit, ta dini që ne kemi përfunduar si shoqëri”, ka thënë ai.

Kryesuesi Fehim Kupina ka ftuar në sallë edhe policinë dhe kjo ka shkaktuar një debat tjetër.

Pavarësisht thirrjeve nga të gjithë këshilltarët e LVV-së, që kjo pikë të mos votohet,  me 31 vota pro e 13 kundër ka kaluar propozim-vendimi për projektin e Art-Tek

Tulltorja ka qenë në menaxhim të AKP-së dhe për të është bërë “luftë” mes kryetarit të dikurshëm të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili planifikonte muze të gjenocidit dhe kryetarit të atëhershëm, Shpend Ahmeti.

Ahmeti pati fituar dhe komuna e pati blerë për 5 milionë euro hapësirën në të cilën parashihte qendër rekreative për të rinj.

Ish-kryetari Shpend Ahmeti ka shkruar në rrjetet sociale se privatizimi i saj është ndalur, duke e shpallur zonë të interesit publik

“Tulltorja ka qenë ndërmarrje shoqërore e menaxhuar nga AKP-ja. Privatizimi i saj është ndalur, duke e shpallur zonë të interesit publik. Në vitin 2020, Komuna e ka blerë këtë pronë nga AKP-ja për 5 milionë euro (20 për qind e vlerës prej 25 milionë) si kompensim për punëtorët”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Kompania “BGC SHPK” pronarë dhe përfaqësues të së cilës janë Agim Gërbeshi dhe Lulzim Abazi, është e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës në vitin 2017 dhe ka 5 punonjës.

KOHA ka kontaktuar kompaninë dhe komunën lidhur me mënyrën e përzgjedhjes, por nuk ka marrë përgjigje të premten.

Sipas marrëveshjes me komunën, vlera e investimit parashihet që në fazën e parë 5-vjeçare, të jetë deri në 10 milionë euro, ndërsa në fazën e dytë dhe të tretë thuhet se mund të arrijë deri në 20 milionë euro.

Në marrëveshje thuhet se hapësira do të shfrytëzohet për veprimtari afariste, kulturore, administrative, shërbime, gastronomi, aktivitete kreative dhe ekonomike.

Po ashtu theksohet se përdorimi rezidencial (banimi) është i ndaluar, ndërsa elementet e trashëgimisë industriale obligohen të ruhen.

Me debate e tensione është përcjellë edhe pjesa tjetër e mbledhjes.

Në mbledhjen me 22 pika të rendit të ditës, 20 prej tyre kanë kaluar.

Debat ka nxitur edhe pika ku parashihej themelimi i një ndërmarrjeje të re për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

Themelimi i saj është kundërshtuar nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk e keni ju mendjen me pastru Pastrimin, me pastru qytetin, ju e keni menjën me gjete një arsyetim për kohë shtesë për me inkorporua në sistem të menaxhimit operator privat. Vet dje kryetari tha në konferencë ku ke nënkryetarja, do ta ndryshojmë rregulloren dhe do ti vendosim operatorët privat. Në vitin 2024 me iniciativë të juaj ju kena përkrah për me ndryshu rregulloren dhe me ju dhanë e drejta veç Pastrimit, pse po shitni hipokrite? Nuk i keni as asamblistët e juaj e po kërkoni vota prej neve. E keni bankrotu Pastrimit, e keni bankrotu NPB, po i vononi rrogat në Prishtina Parking, trafiku urban në gjendje të tmerrshme … po thoni, hajdeni jepna edhe një shans? Asnjë shans nuk ka për ju”, ka thënë asamblisiti Sveçla.

Bërlloku në Prishtinë përplasi pushtet e opozitë edhe për atë që ka ndodhur më herët. Sipas nënkryetares Besianë Musmurati, kryeqyteti ka humbur mundësinë për 74.1 milionë euro investime për shkak të ministrit në detyrë të financave, Hekuran Murati.

“Ministri jot Hekuran Murati nuk po e nënshkruan kredinë për me fuqizu. Kanë pasë me i ble 100 kamionë për ndërmarrjen publike, 1000 kontejnerë për ndërmarrjen publike, 70 milionë euro investim në ndërmarrjen publike. Jo me i vjedhë paratë, Gëzim, por me investu  D.m.th. problem këtu është se nuk e keni për interes as me shpëtu ndërmarrjen e as me heqë bërllokun, e keni për interes veç me bo politik me qytetarët e Prishtinës”, ka thënë ajo.

Por me vetëm 32 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk arriti ta miratojë propozimin për themelimin e ndërmarrjes së re “Pastrimi”.

Pas këtij votimi, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje u larguan nga mbledhja, në shenjë kundërshtimi ndaj pikave të tjera të rendit të ditës.

“Me të vërtetë është për keqardhje që në këtë gjendje ka ra kuvendi komunal, ku vjen kryetari 2 min propozon 19 pika të rendit të ditës që kanë të bëjnë me prona publike të qytetit edhe largohet prej këtu. Nuk ka asnjë dokument që vërtetojnë pronësinë e këtyre pronave, ku nuk ka asnjë përgjigje në pyetjet legjitime të asamblistëve prandaj në këto rrethana LVV nuk mundet me vazhdu me qenë pjesë e një cirku të tillë ku bëhet humor me prona të qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Sveçla.

Pas mbledhjes, kryetari Përparim Rama, akuzoi VV-në se me qëllim po e lë qytetin në mbeturina.

“Vetëvendosje sabotoi pastrimin e Prishtinës! Dështon themelimi i ndërrmarjes komunale ‘Pastrimi’! Ja kush jeni ju! Me votën tuaj e latë qytetin në bërllok, lagjet ku jetoni vetë, rrugët ku ecin fëmijët tuaj, familjet tuaja. Krejt qytetarët e Prishtinës i lini në bërllok. Çka mundet njeri me thënë më shumë për ju? Mjerë ata qytetarë që ju kanë votu dhe ju kanë besu kur ju keni shitë pallavra se jeni këtu për të mirën e tyre! Besoj që secili votues i juaji sot ndihet i turpëruar kur e sheh çka bëni ju këtu, jo veç me votën tuaj, por edhe me sjelljet në Asamblenë e Kryeqytetit. Marre!”, ka shkruar Rama në Facebook.

Prishtina dhe qytetet përreth kanë një ndërmarrje rajonale që menaxhon mbeturinat, dhe edhe ajo ka emrin “Pastrimi”, por kritikat ndaj punës së saj kanë qenë të vazhdueshme.

Rezana Bozhlani e Ardona Popova