Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

EU-Kommissar kritisiert Kosovo: Änderungen im Sonderprogramm sind inakzeptabel

Marta Kos

Marta Kos

Foto: Driton Pacharada

Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar të hënën Kosovën për vendimin në Kuvend që të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale, duke e quajtur këtë vendim të papranueshëm dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare të sundimit të ligjit. Ajo e ka thënë këtë në një prononcim në prag të nisjes së takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, që po zhvillohet në Luksemburg, ku zgjerimi është një prej temave të diskutimeve.

“Do të doja të jem po ashtu e qartë se ndryshimet e ligjit për Dhomat e Specializuara nga ana e Kosovës shkojnë kundër obligimeve fundamentale të Kosovës ndaj BE-së. Dhe kjo është e papranueshme”, ka thënë Kos.

“Të ndryshosh rregullat në kohën kur proceset në gjykatë janë në vazhdim e sipër është kundër çdo standardi ndërkombëtar të sundimit të ligjit”, ka thënë komisionerja e BE-së për Zgjerim.

Ajo më tej ka thënë se mesazhi për rajonin është i qartë: procesi i zgjerimit po ecën përpara dhe, nëse kandidatët ecin prapa, kjo nuk është rruga e duhur, sepse në këtë mënyrë nuk do të bëhen anëtarë të BE-së.

Duke folur në përgjithësi për procesin e zgjerimit, Kos ka thënë se për vendet në këtë proces është e domosdoshme të respektojnë sundimin e ligjit dhe të përshtaten me politikën e BE-së, edhe në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

“Siguria është duke u bërë gjithnjë e më e rëndësishme për Bashkimin Evropian dhe kjo është ajo që do të diskutojmë sot me ministrat. Dhe kjo është gjithnjë e më e rëndësishme edhe për procesin e zgjerimit. Nuk mund t’i ofrojmë vetes që të pranojmë vende të reja anëtare të cilat nuk e rrisin sigurinë tonë”, ka thënë Kos.

Të martën, Mali i Zi dhe Shqipëria do të mbyllin kapituj të rinj në procesin e negociatave të anëtarësimit, ndërsa Moldavia dhe Ukraina do të hapin disa kapituj. Këto katër vende janë të vetmet që po lëvizin në procesin e zgjerimit, ndërkohë që Kosova, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Gjeorgjia janë prej vitesh të bllokuara në këtë proces, pa bërë asnjë hap përpara.