Vetëm një kapitull i librit të Historisë së klasës së nëntë i kushtohet luftës së fundit në Kosovë, ndërsa për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës janë shkruar më pak se një faqe. Mësimdhënësja e Historisë, Zogza Molaku, dhe eksperti i arsimit, Agon Ahmeti, thonë se kjo periudhë nuk trajtohet mjaftueshëm dhe kërkojnë ndryshime në kurrikulë dhe tekste
Nxënësit e nivelit të arsimit fillor të mesëm të ulët, vetëm në moshën 15-vjeçare, fillojnë të mësojnë për luftën e fundit në Kosovë.
Kjo ngjarje që zgjati gati dy vjet, në librin e historisë të klasës së nëntë trajtohet në kapitullin e 10-të, rreth faqes 140. E gjitha e përmbledhur në një kapitull me gjashtë nëntituj.
Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është e dedikuar më pak se një faqe.
Po ashtu në librin e historisë është një tekst për masakrat dhe aty janë listuar vetëm 15 sosh nga rreth 100 që i kanë kryer forcat serbe.
Mësimdhënësja e lëndës së Historisë, Zogza Molaku, thotë se lufta e fundit në Kosovë nuk trajtohet mjaftueshëm në tekstet shkollore dhe se duhet të shtohet numri i njësive mësimore për këtë temë.
“Në librin shkollor që është për klasën e nëntë ka dy njësi mësimore ku përfshihet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në përgjithësi, lufta në Kosovë. Mendoj se nuk është e mjaftueshme për rëndësinë që ka pasur kjo luftë historikisht. Prandaj mendoj se duhet të shtohet numri i njësive mësimore, edhe pse në planprogramin që e ka dhënë Ministria për përpilimin e teksteve dhe për përpilimin e planeve tona të punës janë dy rezultate që priten”, ka thënë ajo.
Molaku thekson se ka nevojë për ndryshime, në mënyrë që të hiqen disa tema dhe të lirohet hapësirë për historinë kombëtare.
Edhe eksperti i arsimit, Agon Ahmeti, thotë se ngjarjet e viteve 1998–1999 nuk pasqyrohen mjaftueshëm dhe në mënyrën e duhur.
Sipas Kurrikulës Bërthamë dhe Kurrikulës Lëndore-Programore, të hartuara nga Ministria e Arsimit, Historia mësohet në mënyrë kronologjike, nga parahistoria dhe mesjeta deri te periudha bashkëkohore.
Sipas tij, kurrikula u lë hapësirë tekstshkruesve dhe botuesve të vendosin se cilës periudhë të historisë t’i kushtohet më shumë rëndësi, gjë që, sipas tij, paraqet problem.
“Pra, këtu është problemi kryesor. Të paktën do të duhej të kishte disa rezultate kurrikulare që e synojnë konkretisht njohurinë e nxënësve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për figurat qendrore të saj, për momentet kryesore të luftës në Kosovë, përkatësisht edhe për masakrat e kështu me radhë, që të mos u lihet hapësirë tekstshkruesve dhe mësimdhënësve se çfarë duhet të trajtojnë më shumë ose më pak”, ka thënë ai.
Sipas tij, hapi i parë duhet të jetë rishikimi i kurrikulës dhe adresimi i kësaj çështjeje brenda saj.
Sipas Ministrisë së Arsimit, përmbajtja e teksteve shkollore është përcaktuar në bazë të dokumenteve kurrikulare dhe kritereve të konkursit për hartimin e teksteve shkollore.
Në përgjigjen e Ministrisë thuhet se autorët kanë qenë të obliguar t’u përmbahen kurrikulës lëndore dhe kritereve të konkursit për hartimin e teksteve shkollore.
Nga Ministria nuk kanë treguar nëse do të ketë përditësime të teksteve të Historisë.
“Çdo ndryshim thelbësor në përmbajtjen e teksteve shkollore lidhet me procesin e rishikimit të kurrikulave lëndore/programeve mësimore dhe me procedurat përkatëse për hartimin, vlerësimin dhe miratimin e teksteve të reja shkollore. Në rastet kur gjatë procesit të rishikimit të kurrikulës identifikohen nevoja për ndryshime në trajtimin e periudhave apo ngjarjeve të caktuara historike, përfshirë historinë e Kosovës, këto ndryshime do të trajtohen në përputhje me dokumentet kurrikulare dhe procedurat institucionale në fuqi”, thuhet në përgjigje.
Në Kurrikulën Lëndore-Programin Mësimor të klasës së nëntë, për lëndën e Historisë, përcaktohen “Temat dhe rezultatet e të nxënit”.
Në tabelën e temave, e 11-ta është “Lëvizja e shqiptarëve për barazi dhe liri – lindja e një shteti të ri evropian – Kosovës”, e cila i kushtohet periudhës së luftës në Kosovë.
Ajo përfshin masat represive të regjimit jugosllavo-serb ndaj Kosovës, rezistencën paqësore, shkaqet dhe zhvillimin e Luftës Çlirimtare të Kosovës, si dhe rolin e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe procesin drejt pavarësisë.