Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Hargreaves: Neues Kapitel mit Kosovo – Fokus auf Wirtschaft und Investitionen

Jonathan Hargreaves

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar synojnë ta thellojnë bashkëpunimin ekonomik, ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se vendi ka shënuar rritje të investimeve dhe të bizneseve të reja. Në Forumin e Biznesit, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves deklaroi se kapitulli i ardhshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve duhet të përqendrohet te biznesi, investimet dhe inovacioni

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e investimeve kanë qenë në fokus të Forumit të Biznesit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, të organizuar të enjten nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Prishtinë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk duhet të mbështeten vetëm në historinë e përbashkët, por duhet të zhvillohen edhe përmes bashkëpunimit ekonomik.

“Por, sigurisht, siç e dimë të gjithë, marrëdhëniet e mëdha nuk mund të mbështeten vetëm në histori. Ato vazhdojnë të zhvillohen dhe ushqehen nga e ardhmja. Dhe mendoj se jemi këtu sot sepse besojmë se kapitulli i ardhshëm i marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës duhet dhe do të jetë gjithnjë e më shumë i përqendruar te biznesi, investimet, inovacioni dhe prosperiteti i përbashkët për të dy popujt tanë”, ka thënë ambasadori Hargreaves.

Edhe kryeministri Albin Kurti, tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar duhet të thellohen edhe më tej, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe afarist.

Duke folur për zhvillimet ekonomike në Kosovë, Kurti tha se vendi ka shënuar rritje në vitet e fundit, duke veçuar rritjen e fitimeve të korporatave, themelimin e bizneseve të reja dhe rritjen e investimeve të huaja.

“Rritja ekonomike e Kosovës në tremujorin e parë të këtij viti ishte 5.4 për qind e PBB-së, ndërsa në tremujorin e dytë ishte 4.1 për qind, niveli më i lartë i rritjes në rajonin tonë. Gjatë pesë vjetëve të fundit, fitimet e korporatave në Kosovë janë rritur me 150 për qind. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i bizneseve të reja të themeluara është rritur me 26 për qind, ndërsa numri i bizneseve të reja me pronësi të huaj është rritur me 55 për qind”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë e Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se një nga faktorët që mund ta bëjë Kosovën më tërheqëse për investitorët është edhe politika fiskale.

“Aktualisht, përveç tatimit mbi të ardhurat e korporatave, i cili është 10 për qind me normë të sheshtë, Kosova nuk ka tatim mbi dividendë. Dhe mendoj se për një vend dhe një korporatë të konsoliduar, ky është një faktor shumë i rëndësishëm. Nëse jeni një shoqëri aksionare që investon në Kosovë dhe gjeneron dividendë, nuk paguani asnjë tatim mbi to”, ka thënë ministrja Kusari-Lila.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se përgatitjet për Prishtinën 2030, përkatësisht organizimin e Lojërave Mesdhetare, përbën një mundësi të rëndësishme për transformimin e kryeqytetit.

E, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, tha se forumi është rezultat i një pune disamujore me Ambasadën Britanike, me synimin që bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar të shndërrohet në mundësi konkrete për institucionet dhe sektorin privat.