Deputeti i Aleacnës, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ai, mospërkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesve të saj. Ai e ka fajësuar Kurtin se qëllimshëm po e lë në gjysmë miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen.
Haradinaj ka theksuar se synimi i Kurtit janë zgjedhjet e reja.
“Është shumë e pandershme që të lihet në gjysmë ky ligj duke ditur rëndësinë e tij dhe momentin kritik për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së. Është koha të bashkohemi dhe të mos turpërohemi para historisë. Sot ranë maskat, Kurti e kurthoj edhe ligjin edhe vendin, pra e futi në kurth. Kurti i dha një goditje të rëndë UÇK-së, duke lënë në gjysmë ligjin në momentin më kritik dhe Kurti po e çon vendin në zgjedhje. Kurti që tri herë para kësaj here i fitoi zgjedhjet dhe prapë e çoi vendin në zgjedhje. kjo është hera e katërt që po e çon në zgjedhje. sa herë që e ka çu vendin në zgjedhje e ka lënë qytetarin pa zgjidhjet e nevojshme”, ka thënë ai në konferencë për media.
Sipas Haradinajt, Kurti qëllimisht ka shtyrë afatet kushtetuese për konstituimin e institucioneve.
“Si Aleancë jemi munduar ta shtrijmë dorën dhe kemi bë kujdes por kjo që po ndodh është e pafalshme si për historinë si për ata që e duan me zemër Kosovën... Sot ankohet se janë edhe 7 orë, por prej 8 korrikut Kurti është kujdesur ta konsumojë kohën kushtetuese dhe të mos i konstituojë institucionet. Edhe pyetjet që sot i ka dërguar u.d presidentja, ka mundur t’i çojë para dy jave. E çon në ditën e fundit, kur është dashur të jetë këtu në seancë”.