Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë nuk do të përbënte vetëm goditje ndaj individëve, por edhe ndaj luftës së UÇK-së.
Duke folur në marshin solidarizues në Prishtinë, Gucati ka thënë se qytetarët nuk janë mbledhur për të mbrojtur individë, por, sipas tij, për të mbrojtur të vërtetën e Kosovës dhe të një populli që luftoi për liri.
“Nuk jemi mbledhur për ta mbrojtur individin, por për ta mbrojtur të vërtetën e një populli që luftoi për lirinë. Jemi mbledhur për ta mbrojtur të vërtetën e Kosovës”, ka thënë Gucati.
Ai theksoi se UÇK-ja, sipas tij, nuk e kishte krijuar shtypjen, por ishte ngritur kundër saj, duke kërkuar një proces të drejtë dhe të paanshëm për të akuzuarit.
“UÇK-ja nuk e krijoi shtypjen, ajo u ngrit kundër saj. Kërkojmë proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt për të drejtat e çdo të akuzuari”, u shpreh ai.
Gucati shtoi se Kosova gjatë luftës nuk kishte qenë e vetme, duke përmendur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.
“Një e dimë se dënimi i krerëve të UÇK-së nuk do të ishte thjesht goditje ndaj individëve, por ndaj luftës së UÇK-së. Nga ky dënim do të përfitonte vetëm Serbia dhe Rusia”, deklaroi Gucati.