Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë thirrje që të gjitha partitë politike të ulen dhe të gjejnë një kandidat për president që, sipas tij, përfaqëson interesat e Republikës dhe qëndron mbi interesat partiake.
Në një postim në Facebook, Gashi ka theksuar se presidenti i Kosovës duhet të jetë përfaqësues i Republikës, ruajtës i aleancave, balancues i pushteteve, garantues i Kushtetutës dhe Komandant i Përgjithshëm.
“Të gjitha partitë duhet të ulen dhe të gjejnë një President që i përfaqëson këto vlera dhe qëndron mbi interesat partiake”, ka shkruar Gashi.
Ai ka kundërshtuar mundësinë që Presidenca të përdoret si shpërblim politik, duke shtuar se pozita e presidentit nuk duhet të lidhet me vendime që, sipas tij, kanë cenuar shtyllat e demokracisë.
“Prandaj, Presidenca nuk mund të jetë shpërblim politik, aq më pak për vendime që kanë cenuar këto shtylla të demokracisë”, është shprehur deputeti i LDK-së.
Gashi ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve duhet të gjejë zgjidhjen.
“Fituesi i zgjedhjeve ka përgjegjësinë më të madhe për ta gjetur zgjidhjen, jo për ta mbajtur vendin peng”, ka shkruar ai.