Familjarë e 23 personave të zhdukur në rajonin e Mitrovicës dhe zyrtarë të shtetit, e kanë vizituar sot së bashku fshatin Kalludër të Zubin Potokut, aty ku ditë më parë është gjetur një varrezë masive. Për herë të parë kanë vendosur lule mbi një varr, të cilin ata e kërkojnë tash e sa vjet për personat që u mungojnë nga viti 1999. Megjithëse analizat nuk kanë përfunduar ende, ata janë të bindur se eshtrat u përkasin familjarëve të tyre.
27 vjet me radhë pritën që të dinin diçka për fatin e tyre. E sot erdhën në vendin ku u gjetën eshtrat e familjarëve që rezultojnë të zhdukur që nga përfundimi i luftës.
Për Mihan Beqirin, i cili e ka vëllain e zhdukur, ky moment nuk është i lehtë.
Por ai është i bindur se eshtrat e vëllait ishin fshehur në këtë lokacion të cilin e kishte vizituar që në vitin 2003.
Është shprehur i mërzitur që institucionet nuk kanë vepruar më herët. Megjithatë Beqiri ka thënë se gjetja e eshtrave ia lehtëson dhimbjen për vëllain.
“Po si nuk jam, bile eshtrat, e din varrin ku e ka... Deri tash asgjë, vetëm tash kanë filluar mirë. Deri tash kurrgjë. Që 27 vjet kurrgjë. E kanë ditë mirë po nuk kanë punu, deri tash. Tash i kanë grah, e kush i grahu nuk e di”, ka thënë ai.
Po Flaka Fazliu ka thënë se njoftimi për gjetjen e eshtrave e ka rikthyer dhimbjen për babanë Fatmir Fazliun dhe dajën Halil Halili.
“Mund të them që ende jemi duke e procesuar lajmin sepse ka kaluar një periudhë shumë, shumë e gjatë, që kemi qenë në pritje. Akoma takimi po duket abstrakt, po presim. Por mund të them që njëkohësisht e kemi ripërjetuar dhimbjen. Edhe tash jemi në pritje të procedurave të tjera”, ka thënë ajo.
ebenfalls
In Zubin-Potok gefundene sterbliche Überreste wurden zur DNA-Analyse nach Den Haag geschickt.
E kryetarja e shoqatës Zëri i Prindërve në Mitrovicë, Gjyla Haziri ka thënë se e kanë parë të rëndësishme ta organizojnë një vizitë në vendin ku janë gjetur eshtrat, sepse familjarët çdo ditë kanë trokitur në dyert e organizatës duke kërkuar të shohin së afërmi vendin e varrezës masive.
Sado së kanë kaluar mbi dy dekada që nga rrëmbimi dhe zhdukja e më të dashurve të tyre, familjarët janë shprehur se ky moment është mjaft i vështirë por shumë i kërkuar nga ta.
Rezana Bozhlani