Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Die Familie Blakqori fordert, dass die Mörder von fünf Familienmitgliedern vor Gericht gestellt werden.

Familja Blakqori

Është mbajtur seanca fillestare ndaj 5 të akuzuarve: Predrag Nikoliq, Zoran Dzeletoviq, Ivan Ivanov, Sinisha Milanoviq dhe Jovica Deniq, të cilët ngarkohen me akuzën për vrasjen mizore të 5 personave civilë, pjesëtarë të familjes Blakqori. Sipas Prokurorisë, të pandehurit i morën me forcë civilët dhe i dërguan në lokacionin e quajtur Megja, ku më pas i ekzekutuan. Gjykimi po mbahet në mungesë të të akuzuarve

Është mbajtur të enjten seanca e shqyrtimit fillestar ndaj pesë të akuzuarve serbë, të cilët ngarkohen për vrasjen mizore të 5 civilëve gjatë luftës, të gjithë pjesëtarë të familjes Blakqori nga Podujeva.

Gjykimi nisi pa praninë e të pandehurve, meqë ata ndodhen në arrati.

Predrag Nikoliq, Zoran Dzeletoviq, Ivan Ivanov, Sinisha Milanoviq dhe Jovica Deniq akuzohen se si pjesëtarë të policisë serbe i morën me forcë civilët te pompa e derivateve “Beopetrol” në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë dhe i futën në veturë.

“I urdhërojnë që të hyjnë në veturën e policisë, me pretekstin që t’i dërgojnë në stacionin e trenit në Fushë-Kosovë dhe kur arrijnë tek udhëkryqi i Fushë-Kosovës, kthehen në anën e majtë dhe vazhdojnë rrugën në drejtim të fshatit Sllatinë, në fshatin Vragoli kalojnë nëpër pikëkontrollin e policisë dhe ushtrisë serbe, mirëpo nuk ndalohen nga ta dhe vazhdojnë rrugën për në fshatrat Dobrevë-Batushë-Lepinë, dhe me të arritur te vendi i quajtur Megja, e ndalin automjetin dhe i urdhërojnë viktimat që të zbresin”, ka thënë prokurori special, Atdhe Dema.

Sipas Prokurorisë Speciale, pasi viktimat dolën nga vetura, Predrag Nikoliq i urdhëroi të shtrihen me fytyrë për toke, e më pas është shtënë në ta. Aktakuza thekson se Milanoviqi e Deniqi ishin të pranishëm gjatë momentit të vrasjes.

Në aktakuzën e hartuar nga prokurori special, Atdhe Dema, përshkruhet edhe përpjekja për të fshehur gjurmët e krimit.

“Pas kësaj, të pandehurit hyjnë në automjetin e tyre, vazhdojnë rrugën në drejtim të Lipjanit-Prishtinës dhe gjatë rrugës i pandehuri Predrag Nikoliq ia jep dokumentet e viktimave të pandehurit Ivan Ivanov me udhëzimin që t’i djegë ato dhe në fund kthehen në stacionin policor në Fushë-Kosovë dhe e dorëzojnë ndërrimin”, ka thënë prokurori Dema.

Ngritjen e aktakuzës, por edhe fillimin e procesit gjyqësor, e mirëpritën familjarët e viktimave.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve që të bëjnë gjithçka që kryerësit e veprës të jenë në bankën e të akuzuarve. Për ne si familje do të ishte me rëndësi që kryerësit sot këtu të ishin dhe të merrnin dënimin e merituar dhe të përballeshin me drejtësinë dhe jo të shëtiteshin në Evropë dhe askush të mos i prekë”, ka thënë Jusuf Blakqori.

Gjatë vitit 2025 janë ngritur 15 aktakuza ndaj 55 të dyshuarve serbë për krime lufte në Kosovë, përfshirë edhe 10 në mungesë të të pandehurve.